Dhjetor 18, 2017

Delegacioni i Kryqit të kuq të RM-së viziton Kryqin e kuq të Serbisë

Në periudhën nga 07 deri 09 dhjetor të vitit 2017, një delegacion i Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, i udhëhequr nga Prof. Dr. Romel Velev, realizoi një takim pune me Kryqin e kuq të Serbisë.

Gjatë qëndrimit u realizuan takime me kryetarin KK të Serbisë, Prof. Dr. Dragan Radovanoviq dhe Sekretaren e Përgjithshme, znj. Vesna Milenkoviq, në Zyrën qendrore të Shoqatës nacionale. Një theks i veçantë u vu në përparimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. U këmbyen përvojat rreth ndërtimit të kornizës statutore dhe normative të të dyja shoqatave nacionale, programet e dhurimit të gjakut dhe sfidat lidhur me zbatimin e trajnimeve të ndihmës së parë, vendosja strukturore e organizatave në nivel lokal, burimet e financimit dhe llogaridhënia financiare përmes softuerëve financiarë dhe mundësitë e vendosjes së një bashkëpunimi operativ vjetor ndërmjet dy organizatave.

Gjatë vizitës u vizitua edhe Organizata e Kryqit të kuq të Valevës. Delegacioni i KKRM-së u prit nga Kryetari Dr. Millutin Mihajlloviq, i cili njëherësh është Nënkryetar i KK të Serbisë, dhe nga Sekretari i KK të Valevës, z. Mirosllav Xhukiq. Në këtë takim u prezantuan aktivitetet e KK të Valevës dhe u shpreh gatishmëria për bashkëpunim me një organizatë komunale të Kryqit të kuq nga Maqedonia.

Gjithashtu u vizitua Organizata komunale e Kryqit të kuq të Somborit. Në kuadër të vizitës së kësaj organizate u vizitua Qendra e migruesve pranë Somborit. Delegacioni KKRM-së u prit nga Kryetari, docent Dr. Millosh Petroviq dhe Sekretarja e OKKK Sombor, znj. Simka Somer, dhe znj. Lidija Ric Rihter – Sekretare e Kryqit të kuq të Vojvodinës, si dhe z. Lubomir Milladinoviq, Shef i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Kryqit të kuq të Serbisë. Në bisedimet u ra dakord të caktohet një organizatë komunale e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, që do të binjakëzohej me Organizatën komunale të Somborit për shkak të këmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, duke pasur parasysh se kjo organizatë është një nga më të suksesshmet në OKKK të Serbisë me përvojën në punën me kuzhinat popullore, programin e të rinjve, migruesit, aktivitetet rekreative për fëmijë etj.

Vizita u rrumbullakua me angazhimin për përgatitjen e një kornize dhe plani të përbashkët për realizimin e aktiviteteve vjetore. Dokumenti është planifikuar të nënshkruhet në fillim të vitit 2018 në Shkup, Maqedoni.

< kthehu mbrapa