28 Nëntor, 2017

Marrëveshje të nënshkruara me 12 shoqata qytetare për mbështetjen e projekteve të përfshirjes sociale të personave të moshuar

Në kuadër të Projektit rajonal “Ndërmarrja e aksionit për përfshirje sociale të personave të moshuar”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe financiarisht i mbështetur nga Kryqi i kuq Austriak dhe Agjencia Austriake e Zhvillimit, Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë dhe Shoqata “Humanost” si partnerë të përbashkët në këtë projekt, shpallën thirrje për shoqatat qytetare për të mbështetur projektet e përfshirjes sociale të personave të moshuar. Në bazë të evalvimit të bërë u përzgjodhën projektet e 12 shoqatave qytetare.

Më 1 nëntor të vitit 2017, Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë dhe “Humanost” mbajtën një takim me përfaqësuesit e shoqatave qytetare, në të cilin u nënshkruan marrëveshjet për mbështetjen e projekteve të përfshirjes sociale të personave të moshuar. Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të kuq të RM-së, z. Sait Saiti uroi shoqatat qytetare që fituan nën-grantet dhe shprehu kënaqësinë për interesin e tyre për t’u përfshirë dhe për të dhënë kontribut në realizimin e përfshirjes më të mirë sociale të personave të moshuar në komunitet.

Përfaqësuesit e shoqatave qytetare i përshëndeti edhe drejtori ekzekutiv i “Humanost”, z. Sashko Jovanov, i cili ndër tjerash theksoi rëndësinë e iniciativave të ofruara të projektit me të cilat do të inkurajohet pjesëmarrja aktive e të moshuarve dhe do të vihet theksi në çështjet e lidhura me prioritetet e të moshuarve, veçanërisht në përfshirjen e tyre më të mirë sociale.

Përfaqësuesit e shoqatave qytetare i shprehën falënderim Kryqit të kuq të RM-së dhe Shoqatës “Humanost” për mbështetjen e projekteve dedikuar pjesëmarrjes më të madhe të personave të moshuar në jetën shoqërore.

Në këtë takim gjithashtu u dhanë instruksione për zbatimin e procesit të implementimit të iniciativave të projektit, të cilat shoqatat qytetare do të jenë në gjendje për t’i implementuar në periudhë prej nëntë muajsh.

< kthehu mbrapa