11 Maj, 2017

Mundësitë dhe sfidat e punësimit të personave të rrezikuar në aspektin social

I nderuar Ministër, i nderuar z. Petrov,

Zonja dhe zotërinj,

 

Më lejoni për të mirëpritur praninë Tuaj në ngjarjen e sotme të organizuar nga Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë në partneritet me Odën e Zejtarëve të Qytetit të Shkupit, e lidhur me Projektin “Ndërmerr aksion për të përmirësuar konkurrencën në tregun e punës”, financuar nga Bashkimi Europian. Qëllimet e këtij projekti janë në pajtueshmëri me qëllimet e Strategjisë nacionale të punësimit dhe Strategjisë për reduktimin e varfërisë dhe përjashtimit social në Republikën e Maqedonisë dhe vërteton zhvillimin e programeve sociale për mbështetjen e grupeve të rrezikuara qëllimore në drejtim të përmirësimit të konkurrencës së tyre në tregun e punës.

Ky projekt është edhe një mundësi shtesë e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë për të kthyer vëmendjen e publikut drejt aktiviteteve që kontribuojnë në përmbushjen e misionit për të ndihmuar dhe mbështetur grupet e rrezikuara të qytetarëve në vendin tonë. Përmes këtij projekti Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë së bashku me partnerët, për 40 persona në rrezik social dhe të papunësuar në aspekt afatgjatë do të mundësojë përgatitjen për t’u përfshirë në jetën sociale dhe ekonomike duke krijuar të ardhura për veten dhe familjet e tyre, duke kontribuuar për të reduktuar rrezikshmërinë dhe përjashtimin social.

Me rëndësi të madhe është se ky projekt siguron mbështetje psiko-sociale për përdoruesit me qëllim të forcimit të kapaciteteve për rritjen dhe zhvillimin personal, dhe mbështetje për familjet e tyre, përshtatur me nevojat e tyre, duke përdorur të gjitha resurset që janë në dispozicion në komunitet, në drejtim të një mbështetje të fuqishme për përfshirjen aktive të përdoruesve në procesin e projektit.

Me qëllim të aktualizimit të çështjes së avancimit të mundësive të punësimit, Kryqi i kuq dhe Oda e Zejtarëve të Shkupit i organizojnë këto tryeza të rrumbullakëta me të gjithë faktorët relevantë në mjediset ku është duke u bërë implementimi i Projektit për të kontribuuar në reduktimin e papunësisë së personave në rrezik social.

Maqedonia po ballafaqohet me një shkallë të lartë të papunësisë dhe sipas të dhënave statistikore nga numri i përgjithshëm i personave të papunë, më të përfaqësuar janë personat me nivel të ulët arsimor dhe pa kualifikime. Në Maqedoni sipas të dhënave zyrtare, shkalla e varfërisë tek të papunët është e lartë, gjegjësisht nga të gjithë personat e evidentuar të varfër përqindja e të papunëve është e lartë. Kjo vërteton lidhjen dhe ndikimin e papunësisë dhe varfërisë në atë mënyrë që zgjidhja e njërit problem ndikon në masë të madhe në zgjidhjen e problemit tjetër. Personat afatgjatë të papunë janë të izoluar dhe të përjashtuar nga jeta sociale dhe e punës, dhe për këtë arsye me anë të Projektit në veçanti jepet një kontribut për përfshirjen e tyre.

Duke pasur parasysh gjithë këtë dhe duke u përpjekur për të treguar mirëkuptim dhe ambicie shtesë për zgjidhjen e këtyre problemeve, Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë realizon bashkëpunim të frytshëm me vetëqeverisjet lokale, institucionet qeveritare, shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit për të bërë implementimin e programeve për përfshirjen sociale të grupeve të rrezikuara qëllimore në komunitetet. Ky projekt është një mundësi për forcimin e bashkëpunimit të partnerëve, njëherësh duke nxitur kontributin aktiv të çdo faktori relevant në bashkësitë lokale në drejtim të krijimit të kushteve e punësimin për çdokënd.

Me rëndësi të veçantë është partneriteti me Odën e Zejtarëve të Qytetit të Shkupit, e cila ka përvojë në zbatimin e trajnimeve për mësimin e zanateve. Ky është një parakusht për personat në rrezik social për të fituar shkathtësi të caktuara me të cilat do të jenë më konkurrues në tregun e punës dhe do të kenë mundësi më të mëdha për t’u punësuar. Njëherësh, presim një ndërgjegjësim të rritur tek punëdhënësit dhe gatishmërinë e tyre për të propozuar mundësi të punësimit për personat në rrezik social.

Me rëndësi të jashtëzakonshme është mbështetja që e siguron Bashkimi Evropian për shoqërinë civile në RM për implementimin e projekteve që kontribuojnë për të realizuar rezultate të dukshme dhe për të ndikuar në rritjen e përfshirjes sociale të grupeve te rrezikuara qëllimore të popullsisë në RM.

Përfitoj nga ky rast për të shprehur një falënderim të madh për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Financave dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në RM për bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen në implementimin e aktiviteteve të projektit.

Në fund më lejoni që t’Ju uroj një punë të suksesshme dhe të frytshme. Shpresoj Tryeza e sotme e rrumbullakët të prodhojë propozime dhe konkluzione specifike që do të kontribuojnë në avancimin e kushteve dhe mundësive të punësimit për këto kategori, me çka do të zbutet papunësia e personave në rrezik social.

< kthehu mbrapa