Dhjetor 7, 2017

Pika për të pastrehët – përgatitjet për periudhën e dimrit

Pika për të pastrehët e Kryqit të kuq të qytetit të Shkupit, mundëson ndihmë dhe mbështetje për 50 të pastrehë në bazë ditore, të cilët rregullisht vizitojnë atë dy herë në javë. Ata shfrytëzojnë shërbimet për mirëmbajtjen e higjienës dhe shërbimet e floktarisë. Me ta punon një ekip i përbërë nga një mjek, një psikolog dhe një punonjës social, dhe në përputhje me nevojat e tyre punohet në uljen e prekshmërisë së tyre dhe përmirësimin e gjendjes shëndetësore. Përveç këtyre shërbimeve përdoruesit rregullisht mund të marrin veshmbathje, ushqim dhe të mira të tjera materiale. Me të pastrehët punohet në ri-integrimin e tyre të suksesshëm.

Në prag të periudhës së ftohtë të dimrit, Kryqi i kuq tanimë është duke u përgatitur për të dhënë ndihmë dhe mbështetje për personat e pastrehë, si një kategori jashtëzakonisht e prekshme. Në përputhje me planin operativ, gjatë kohës së temperaturave ekstreme të ulëta do të mundësohet akomodimi në Strehimoren e përkohshme që ka kapacitet të akomodojë 32 persona në të njëjtën kohë, dhe ekipet lëvizëse të Kryqit të kuq do të jenë në dispozicion 24/7 për të dhënë ndihmë dhe për të siguruar transport për të gjithë personat e pastrehë të raportuar nga terreni.

Sivjet, me mbështetjen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, shërbimet e tilla përveç në qytetin e Shkupit, janë zgjeruar edhe në Manastir, Strumicë, Strugë, ku janë vendosur kontejnerë të cilët mund të strehojnë 8 persona. Ata janë pajisur me batanije, ushqim, dhe ekipet lëvizëse të Kryqit të kuq në këto qytete janë përgatitur për të pranuar personat e pastrehë. Promovimi i kësaj forme të strehimit të personave të pastrehë ishte më 06.12.2017 (e mërkurë) në ora 10:30 në Pikën për të pastrehët e Kryqit të kuq të qytetit të Shkupit, që ndodhet në Momin Potok. Në këtë ngjarje të pranishmëve iu drejtua Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, Kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe Sekretarja e Kryqit të kuq të qytetit të Shkupit, Suzana Paunovska.

Funksionimi i Pikës për të pastrehët në qytetin e Shkupit është mbështetur nga ana e Qytetit të Shkupit dhe nga shumë kompani dhe individë.

< kthehu mbrapa