1 Prill, 2019

Punëtori edukative në kuadër të Projektit “Përmirësimi i socializimit të fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta”

Nga 29 deri më 31 mars të vitit 2019, në Qendrën “Solferino” në Strugë, u mbajt një punëtori edukative në kuadër të Projektit “Përmirësimi i socializimit të fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta”, mbështetur nga Banka Komerciale SHA Shkup. Në këtë punëtori morën pjesë 30 përfaqësues, vullnetarë të rinj nga organizatat komunale të Kryqit të kuq, Veles, Kërçovë, Gostivar, Dibër, Dellçevë, Prilep, Kavadar dhe Kryqit të kuq të qytetit të Shkupit, koordinatorët e OKKK Kavadar dhe Kryqit të kuq të qytetit të Shkupit, Kryetari i Komisionit për veprimtari sociale dhe humanitare Dimitar Karakulev, përfaqësuesja e IP Enti për Veprimtari Sociale Vesna Samojllovska , si edukatore, si dhe përfaqësues të shërbimit profesional të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë. Qëllimi i seminarit ishte forcimi i kapaciteteve të vullnetarëve të Kryqit të kuq për të mbështetur fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara.

Në këtë punëtori u prezantuan planet lokale të veprimit dhe buxhetet e përgatitura nga tetë organizatat e Kryqit të kuq për realizimin e aktiviteteve në kuadër të projektit për përmirësimin e socializimit të fëmijëve të qendrave të kujdesit ditor dhe fëmijëve në familjet kujdestare. Gjithashtu, u prezantuan përvojat nga viti i kaluar në komunën e Kavadarit dhe të Shkupit, me të cilën të pranishmit patën mundësinë të njihen me aktivitetet, të shkëmbejnë ide dhe sugjerime dhe të mendojnë për aktivitete të ngjashme brenda komunave të tyre, si një përvojë pozitive. Në punëtori u dhanë udhëzime dhe sugjerime shtesë për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të planifikuara.

Sipas programit, u trajtuan këto tema:

– Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara (Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara);

– Komunikimi me personat me aftësi të kufizuara;

– Promovimi i barazisë dhe respektimi i diversitetit të njerëzve;

– Ekipi dhe puna ekipore.

Në punëtori, pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të ndajnë përvojat personale, vlerat dhe mendimet mbi temat e paraqitura, treguan motivim të lartë dhe interesim për të mësuar dhe për të përmirësuar kapacitetet e tyre dhe përkushtim ndaj punës vullnetare me fëmijët me nevoja të veçanta. Pjesëmarrësit shprehën kënaqësinë nga temat e paraqitura dhe përmbushjen e plotë të pritjeve: përvetësimin e njohurive të reja për personat me aftësi të kufizuara, përmirësimin e aftësive të komunikimit dhe gatishmërinë për punë vullnetare me personat me aftësi të kufizuara.

< kthehu mbrapa