Qershor 17, 2019

Punëtori për mbrojtjen dhe vetëmbrojtjen në rast të katastrofave dedikuar për institucionet arsimore

Programi për përgatitjen dhe veprimin në rast të katastrofave i Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Organizatën komunale të Kryqit të kuq – Veles më 12.06.2019 në ambientet e Shkollës Fillore “Shën Cirili dhe Metodi” në Veles, mbajti një punëtori për zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat dhe mbrojtjen e vetëmbrojtjen në rast të katastrofave për arsimtarët dhe personelin teknik të shkollës.

Gjatë punëtorisë, përmes prezantimeve dhe ushtrimeve interaktive u përpunuan procedurat e përgatitjes dhe veprimit në përputhje me Elaboratin e mbrojtjes dhe shpëtimit të Shkollës Fillore, si dhe udhëzimet dhe këshillat për mbrojtjen e personelit dhe nxënësve në rast të një tërmeti, përmbytjeje dhe zjarri. Punëtoria u zbatua nga një ekip ekspertësh të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë në fushën e zvogëlimit të rreziqeve nga katastrofat.

Përveç kësaj, për arsimtarët dhe personelin teknik u mbajt një prezantim për Projektin “Shkolla dhe kopshte fëmijësh të sigurta” mbështetur financiarisht nga Programi ERAZMUS+, rezultatet e pritshme të të cilit janë: krijimi i një platforme online për ndihmë të parë, zvogëlimi i rreziqeve nga katastrofat dhe mbështetja psikosociale në situata emergjente, trajnime online për personalin në institucionet arsimore (kopshtet e fëmijëve dhe shkollat fillore) dhe përgatitja e rekomandimeve për implementimin e legjislacionit në drejtim të zvogëlimit të rreziqeve nga katastrofat.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, gjatë muajit shtator do të organizohet një ushtrim simulimi për evakuimin e nxënësve dhe punonjësve të shkollës. Ky ushtrim do të jetë rezultat i trajnimit dhe do të jetë një mundësi për implementimin praktik të njohurive të fituara të punonjësve dhe nxënësve.

< kthehu mbrapa