Korrik 2, 2019

Punëtoria përgatitore për ushtrimin “Përgjigjja Nacionale 2019”

Përfaqësues të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë dhe të Organizatës komunale Shtip, më 26.06.2019 ishin pjesë e Konferencës Kryesore të Planifikimit për Ushtrimin e ardhshëm për Ballafaqimin me Fatkeqësitë Elementare “Përgjigjja Nacionale 2019”, organizuar nga Komanda e Bashkuar Operative. Bashkëpunëtori profesional për Gatishmëri dhe Veprim në Katastrofa në Kryqin e kuq të Republikës së Maqedonisë, Ali Samet, informoi për kapacitetet e Organizatës në pjesën e kërkesave të ushtrimit të ardhshëm, duke theksuar se Kryqi i kuq vazhdon të kultivojë marrëdhënien e partneritetit me institucionet që veprojnë në pjesën e ballafaqimit me krizat dhe katastrofat. Ai shprehu gatishmërinë që Organizata komunale e Kryqit të kuq të Shtipit të jetë partner i plotfuqishëm me të gjitha palët e interesuara në kuadër të ushtrimit i cili do të mbahet nga 16 deri më 19 shtator të këtij vitit.

Ndër të pranishmit, përveç përfaqësuesve të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, ishin edhe përfaqësuesit e Armatës dhe Shtabit të Përgjithshëm, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Qendrës së Menaxhimit të Krizave, Shtabit Komunal të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Shtipit, së bashku me ndërmarrjet publike lokale dhe përfaqësuesit e shtabeve komunale të krizës në komunat Vinicë, Koçanë dhe Zërnovcë. Ushtrimi “Përgjigjja Nacionale” është një ushtrim gjithëpërfshirës që përfshin sektorin civil dhe atë ushtarak, respektivisht të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare që merren me ballafaqimin me fatkeqësitë elementare.

< kthehu mbrapa