Shkurt 19, 2019

Trajnimi i edukatorëve të bashkëmoshatarëve për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore

Në periudhën 14-17.02.2019 në Qendrën e trajnimit të kuadrove “Solferino” në Strugë, u mbajt punëtoria për trajnimin e edukatorëve të bashkëmoshatarëve për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore në kuadër të Projektit “Të rinjtë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, mbështetur financiarisht nga Agjencia e Rinisë dhe Sporteve. Në këtë punëtori morën pjesë gjithsej 15 përfaqësues të OKKK Veles, Negotinë dhe Sveti Nikollë, të cilët patën mundësinë për t’u pajisur me njohuri dhe shkathtësi për ngritjen e ndërgjegjes së të rinjve për dukurinë e trafikimit të qenieve njerëzore. Gjatë trajnimit fillimisht theksi u vu në rëndësinë e zbatimit të metodologjisë së edukimit të bashkëmoshatarëve në programet të cilat drejtpërdrejt kanë të bëjnë me shëndetin dhe sigurinë e të rinjve. Sesionet u zbatuan në përputhje me doracakun për edukatorët e bashkëmoshatarëve të Kryqit të kuq të RM-së, i cili është në përputhje me “Standardet e edukimit të bashkëmoshatarëve” të Organizatës Shëndetësore Botërore dhe doracakun për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore të Federatës ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe. U përpunuan në mënyrë të detajuar llojet e trafikimit të qenieve njerëzore, fazat, masat paraprake si dhe metodat e parandalimit. U ndanë rastet studimore të rajonit dhe u prezantua filmi “Motrat” i cili hollësisht u përpunua dhe u diskutua për rrezikun e mundshëm të problemit në mesin e të rinjve. Gjithashtu u zbatuan prezantime individuale ku u analizuan shkathtësitë dhe njohuritë e marra, saktësia e informacionit, kontrolli i kohës dhe organizimi i sesioneve edukative, të folurit e trupit dhe teknikat e prezantimit, evalvimi i punëtorive dhe përgatitja e raporteve. I gjithë trajnimi u zbatua nga dy trajnerët e trajnuar në mënyrë të veçantë për trajnimin e edukatorëve për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, Sofija Stojanovska dhe Angela Sërbinovska, ndërkaq drejtime shtesë për zbatimin e aktiviteteve në kuadër të programeve të Kryqit të kuq dhanë Vlladimir Vukeliq – koordinues i projektit dhe Lupka Petkovska –  bashkëpunëtore profesionale për veprimtarinë humanitare sociale në Kryqin e kuq dhe një përfaqësues i Kryqit të kuq në Sekretariatin e Komisionit Nacional për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe migrimit ilegal në Republikën e Maqedonisë.

< kthehu mbrapa