
2025-05-08
8 MAJI – DITA BOTËRORE E KRYQIT TË KUQ DHE GJYSMËHËNËS SË KUQE
Çdo vit, Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe e shënon 8 Majin – Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në nder të Henri Dunant, themeluesit të Lëvizjes, i cili ka lindur më 8 maj 1828. Në këtë ditë, shoqatat kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe anembanë botës i kushtojnë vëmendje të veçantë rëndësisë së parimeve dhe vlerave themelore, duke shprehur mirënjohje për kontributin e anëtarëve dhe vullnetarëve dhe duke falënderuar partnerët për mbështetjen e tyre ndaj Kryqit të Kuq. Në periudhën nga 8 deri më 15 Maj, Kryqi i Kuq i RMV-së tradicionalisht e shënon edhe Javën e Kryqit të Kuq të RMV-së me aktivitete të ndryshme në mbarë vendin.
Lëvizja e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe fillimisht është themeluar për të ndihmuar të plagosurit në fushëbetejë dhe për të vendosur standarde humanitare në shoqëri. Me kalimin e viteve, në Kryqin e Kuq kemi mësuar të bëjmë shumë gjëra të tjera në interes të qytetarëve tanë, me qëllim që t’u përgjigjemi sfidave bashkëkohore dhe të ofrojmë ndihmë e mbështetje së bashku me partnerët tanë për njerëzit që kanë nevojë për të dhe që e presin këtë nga Kryqi i Kuq si një nga organizatat më të mëdha humanitare në botë.
Veçanërisht jemi të lumtur që Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili këtë vit shënon 8 dekada nga ekzistenca e tij, është zhvilluar në një organizatë moderne, neutrale dhe e pavarur, e cila jep një kontribut të veçantë në përmirësimin e gjendjeve socialo-humanitare dhe shëndetësore-preventive të kategorive të ndryshme të popullsisë në vend. Shoqata jonë kombëtare gjithashtu luan një rol ndihmës për autoritetet në shtet, veçanërisht në fushën e ofrimit të ndihmës dhe mbështetjes për popullatën e prekur nga katastrofat natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu.
Këtë vit, 8 Maji – Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe shënohet në Lëvizje me moton “Në anën e humanizmit”, me qëllim të shprehim mirënjohje të veçantë për vullnetarët dhe anëtarët tanë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme humanitare, por edhe për të theksuar rëndësinë e parimeve themelore, duke veçuar humanizmin si bazë e veprimtarisë sonë humanitare, pa të cilin nuk do të ishte e mundur realizimi i parimeve të tjera.
Të jesh human do të thotë të kesh një zemër të mbushur me shpirt dhe dëshirë për t’i ndihmuar njerëzit. Secili prej nesh luan një rol të rëndësishëm në komunitet, që ai të jetë një vend më i mirë për të jetuar dhe vepruar. Çdo vepër e mirë e jona është një akt që inkurajon qytetarët tanë t’i bashkohen misionit tonë për të ndihmuar njerëzit që ndodhen në gjendje të vështirë. Ju ftojmë të gjithëve që së bashku të vazhdojmë të jemi në anën e humanizmit në përpjekjet tona për të ndërtuar një shoqëri më humane, ku dinjiteti dhe mirëqenia e qytetarëve do të jenë mbi të gjitha.
U urojmë 8 Majin, Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të gjithë vullnetarëve, anëtarëve dhe të punësuarve tanë dhe i ftojmë të gjithë njerëzit humanë të bëhen pjesë e tregimit tonë humanitar.