
2025-05-21
Fjalimi i Presidentit Prof. Dr. Romel Velev Akademi solemne me rastin e 80-vjetorit të Kryqit të Kuq të RMV-së
Më lejoni fillimisht t’u bashkohem urimeve të sinqerta të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të shpreh mirënjohjen e thellë për praninë tuaj në këtë jubile të rëndësishëm.
Për mua është një nder dhe privilegj i veçantë që të ju drejtohem nga ky tempull madhështor i kulturës maqedonase, ku së bashku po shënojmë 80-vjetorin e ekzistencës së Kryqit të Kuq të Maqedonisë – një organizatë që është sinonim i humanizmit, solidaritetit dhe shpresës.
Ky është një jubile që flet për vazhdimësi, rritje dhe përkushtim. Tetë dekada të mbushura me angazhim, punë të palodhshme dhe dashuri për njeriun.
Vite në të cilat jemi përballur me sfida, kemi mësuar, jemi përshtatur, por gjithmonë kemi mbetur besnikë ndaj misionit – të jemi aty ku nevoja është më e madhe.
Kryqi i Kuq i Maqedonisë sot qëndron krenar si pjesë e një lëvizjeje globale humanitare, por njëkohësisht edhe si një komponentë organike e shoqërisë sonë – i rritur, i ndërtuar dhe i mbështetur “nga njerëzit – për njerëzit”.
Udhëtimi ynë filloi në vitin 1945, menjëherë pas Mbledhjes së Parë të ASNOM-it, me mbledhjen themeluese më 17 mars. Nga ato fillime modeste deri më sot, kjo organizatë pasqyron historinë e vendit tonë dhe të qytetarëve të saj.
Gjatë këtyre tetë dekadave, Kryqi i Kuq i Maqedonisë nuk ka qenë vetëm dëshmitar, por edhe pjesëmarrës aktiv dhe shtyllë mbështetëse në momentet më të vështira.
Nga kujdesi për refugjatët pas Luftës së Dytë Botërore, deri te ndihma për qindra mijëra refugjatë dhe të zhvendosur gjatë konflikteve në Ballkan, e deri te përballja me sfidat moderne si kriza e migrantëve dhe pandemia e “Covid-19” – përkushtimi ynë kurrë nuk ka rënë.
Në fatkeqësitë natyrore – si tërmeti katastrofal në Shkup, përmbytjet e mëdha në vend, tërmetet dhe katastrofat në vendet fqinje e më të largëta – gjithmonë kemi qenë në vijën e parë të ndihmës.
Kur toka dridhej, kur uji shkatërronte shtëpi, kur zjarri përpinte fshatra – ne nuk pyesnim, por vepronim.
Në nivel ndërkombëtar, angazhimi ynë është simbol i solidaritetit – nga Turqia dhe Indonezia, përmes Sri Lankës dhe Japonisë, deri te vendet ballkanike dhe evropiane të goditura nga përmbytje dhe tërmete.
Në momente shkatërrimi, ne ndërtonim besimin ndërmjet popujve.
Kemi vepruar edhe në ngjarje tragjike në vendin tonë – në zjarre, aksidente trafiku dhe tragjedi të tjera – duke ofruar mbështetje për të plagosurit dhe ngushëllim për të pikëlluarit. Gjithmonë aty ku dhimbja kërkon ngushëllim, e shpresa një fillim të ri.
Nëpërmjet të gjitha këtyre sfidave, Kryqi i Kuq ka mbetur simbol i shpresës dhe solidaritetit. Ne jo vetëm që bartëm shpresën – ne e shndërruam atë në vepra.
Për ne, “80 vite – ne shohim njerëz”, nuk është vetëm një slogan. Është bindja jonë më e thellë. Është vlera që na udhëheq.
Bindja se çdo njeri, pa dallim feje, përkatësie etnike apo statusi social, meriton vëmendje, kujdes dhe respekt.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ky jubile nuk është vetëm festë e së kaluarës – ai është edhe thirrje për të ardhmen. Ai na përkujton se humanizmi nuk ka moshë, nuk ka kufi, nuk ka fund. Pasuria jonë më e madhe janë njerëzit – si ata që ndihmojmë, ashtu edhe ata që janë vullnetarë, dhurues, të punësuar dhe mbështetës.
Kur shikojmë pas, shohim mijëra vullnetarë me bluzën dhe emblemën e njohur, me buzëqeshje por edhe lodhje në sy, si e çojnë humanizmin atje ku mungon më së shumti.
I shohim teksa dhurojnë gjak, ofrojnë ndihmë të parë dhe mbështetje psikososiale, ushqim dhe ilaçe, organizojnë trajnime, përgatisin pako për personat në nevojë, ofrojnë kujdes për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta, dhe ndihmojnë pa pyetur “pse” – sepse ata e dinë pse.
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm një organizatë – është një lëvizje. Është ndërgjegjja e shoqërisë.
Është një amanet i përhershëm për kujdes, dinjitet dhe njerëzi.
Transformimi që kemi nisur nuk është vetëm një projekt – është përkushtimi ynë për t’u përshtatur, për t’u rinovuar, për të mbetur të rëndësishëm dhe të fortë në një shoqëri që ndryshon vazhdimisht.
Në këtë proces, e njohim dixhitalizimin si katalizator kyç, por edhe partneritetin – me institucionet, sektorin privat, qytetarët dhe komunitetet – si element të domosdoshëm për krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme.
Megjithatë, inovacioni më i vlefshëm mbetet humanizmi. Aftësia për të njohur nevojën, për të vepruar me kujdes dhe për të lënë gjurmë pozitive.
Ne nuk e parashikojmë të ardhmen – ne e ndërtojmë atë. Me dije, me inovacione, me vullnetarë, me njerëz. Sepse kur themi “Ne shohim njerëz”, ne në fakt themi – shohim zemra, shohim potencial, shohim të ardhmen.
Në fund, më lejoni edhe një herë të ju falënderoj për praninë tuaj, përkushtimin dhe besimin tuaj. Së bashku dëshmojmë se “Edhe pse ndoshta jemi të vegjël në numër, jemi të mëdhenj me zemër”. Ne duam, mundemi dhe dimë – edhe atëherë kur është më së vështiri.
Qëndrojmë të drejtë, të gatshëm për të ardhmen dhe për shumë vite të tjera do të ecim në rrugën e humanizmit.
Urime 80-vjetori i Kryqit të Kuq të Maqedonisë!