Përgjigjja Nacionale 2019
Si pjesë e sistemit nacional për përballimin e krizave dhe katastrofave, Kryqi i Kuq në periudhën nga 16 deri më 19 shtator të vitit 2019 mori pjesë në ushtrimin “Përgjigjja Nacionale 2019”, organizuar nga Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 19.09.2019 në një solemnitet rasti ku mori pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dr. Sait Saiti, u prezantuan qëllimet kryesore të ushtrimit i cili u realizua në tri ditët e shkuara, dhe gjithashtu u prezantuan përshtypjet nga funksionimi i përbashkët i institucioneve përgjegjëse për përballimin e fatkeqësive elementare.
Para vizitorëve të lartë, i gjithë ushtrimi treditor u prezantua përmes një simulimi 40-minutësh të procedurave të domosdoshme gjatë evakuimit të popullsisë së prekur nga një përmbytje përgjatë rrjedhës së lumit Bregallnica. Ekipi i Kryqit të Kuq që numëronte 25 vullnetarë, në terren krijoi 3 qendra: e triazhit, distribucionit dhe e akomodimit, dhe në funksion ishte gjithashtu “Shërbimi i Kërkimit” (Restoring Family Links). Tri makina terreni dhe një ambulancë e Kryqit të Kuq u vunë në dispozicion për t’u përballur në mënyrë sa më efikase me pasojat e fatkeqësisë së shënuar.
Ekipi i ndihmës së parë gjithë kohën qarkullonte në terren, duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet që janë me rëndësi jetike për funksionimin e lirshëm të sistemit të mbrojtjes nga krizat dhe katastrofat. Një pjesë e faktorëve të këtij sistemi në kuadër të ushtrimit ishin: Armata dhe Shtatmadhoria, Kryqi i Kuq, Shtabi Komunal i Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Shtipit së bashku me ndërmarrjet publike lokale dhe Brigada e Zjarrfikësve, Ministria e Mbrojtjes, e Punëve të Brendshme, e Shëndetësisë dhe e Bujqësisë, Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Qendra e Menaxhimit të Krizave.