Shënimi i Ditës Botërore të Ndihmës së parë – 8 shtator 2018
8 shtatori (e Shtunë) është Dita Botërore e Ndihmës së parë. Dita Botërore e Ndihmës së parë është një mundësi për të promovuar dhe përfaqësuar nevojën për të poseduar njohuri dhe aftësi për ndihmë të parë tek publiku i gjerë.
Këtë vit tema kryesore është “Aksidentet rrugore”. Ndihma e parë e dhënë në kohë të saktë dhe mënyrë të drejtë të lënduarëve në aksidente me makinë mund të bëjë një dallim shumë të rëndësishëm midis vdekjes dhe jetës, mos harroni: Nuk keni nevojë për një licencë për të shpëtuar jetën e dikujt!
Më shumë se 1.25 milionë njerëz vdesin çdo vit si rezultat i aksidenteve rrugore. Pa një zgjidhje dhe veprim të qëndrueshëm, aksidentet e trafikut parashihen të bëhen arsyeja e 7-të kryesore e vdekjes deri në vitin 2030.
Është shumë e rëndësishme që komuniteti t’i mësojë teknikat dhe aktivitetet e nevojshme për përgatitje dhe reagim të shpejtë për të ndihmuar viktimat e aksidenteve të trafikut në rastet kur ata e gjejnë veten në rolin e dëshmitarëve okular.
Ne synojmë ta rrisim nivelin e njohurive dhe aftësive për dhënie të ndihmës së parë tek masa e gjerë e popullit, shoferët, këmbësorët dhe pasagjerët, kështu që ata të jenë në gjendje t’u japin ndihmën e parë personave të lënduar në aksidente rrugore.
Aftësitë për të dhënë ndihmën e parë duhet të jenë në dispozicion për të gjithë si një akt humanitar që u mundëson njerëzve të shpëtojnë jetë dhe t’u japin ndihmë për shërim viktimave nga lëndimet e shkaktuara nga aksidenti rrugor. Për këto arsye, Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë është duke u përkushtuar që së paku një anëtar nga çdo familje të jetë i arsimuar dhe i trajnuar për të dhënë ndihmën e parë, kështu që ne ju inkurajojmë edhe ju që të merrni pjesë në ndonjë nga trajnimet tona të ndihmës së parë.