1 tetori – Dita ndërkombëtare e personave të moshuar
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut këtë vit merr pjesë edhe në shënimin e 1 Tetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, e cila u caktua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 14 dhjetor 1990, për të inkurajuar vendet që të tërheqin vëmendjen dhe sfidojnë stereotipet negative dhe keqkuptimet për të moshuarit dhe plakjen dhe u mundësojnë të moshuarve të kuptojnë potencialin e tyre.
Tema në nivel global e përcaktuar nga OKB-ja për kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve për vitin 2023 është “Përmbushja e premtimeve të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut për Personat e Moshuar: Përgjatë brezave” dhe synon:
– Të rrisë njohurinë dhe ndërgjegjësimin global për Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të gjenerojë angazhime midis të gjitha palëve të interesuara për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm të të moshuarve në mbarë botën;
– Të ndajnë dhe të mësojnë nga modelet ndër breza për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën;
– T’u bëjnë thirrje qeverive dhe enteve të OKB-së që të rishikojnë praktikat e tyre aktuale në mënyrë që të integrojnë më mirë një qasje të kursit jetësor të të drejtave të njeriut në punën e tyre dhe të sigurojnë pjesëmarrjen aktive dhe kuptimplote të të gjithë aktorëve, duke përfshirë shoqatat e qytetarëve dhe të vetë të moshuarve në puna për të forcuar solidaritetin ndërmjet brezave dhe partneritetet ndër breza.
Këto synime globale janë pjesë e politikave të vendit tonë që janë në përputhje me Planin Ndërkombëtar të Veprimit të Madridit për Plakjen. Kryqi i Kuq i RMV është i përfshirë në mënyrë aktive dhe kontribuon në përpjekjet e përgjithshme të ndërmarra nga institucionet kompetente në realizimin e të drejtave, kujdesit të nevojshëm dhe mbrojtjes së të moshuarve në vend. Për këtë qëllim, me rastin e shënimit të 1 tetorit, Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit dhe organizatat komunale të Kryqit të Kuq do të organizojnë aktivitete lidhur me qëllimet globale – punëtori informative për të drejtat e të moshuarve, punëtori edukative për tema me interes për të moshuarit, punëtori kreative me të moshuarit, si dhe aktivitete të tjera të destinuara për plakje aktive dhe të shëndetshme.