44 VITE NGA SJELLJA E DY PROTOKOLEVE SHTESË
PROTOKOLLET SHTESË TË 8 QERSHORIT 1977 TË KONVENTAVE TË GJENEVËS TË 12 GUSHTIT 1949
E Drejta Humanitare Ndërkombëtare (DHM) është një përmbledhje rregullash që kanë për qëllim për arsye humanitare të kufizojnë efektet e konfliktit të armatosur. DHM i mbron personat që nuk janë apo që tani e tutje nuk janë pjesëmarrës në konfliktet e armatosura dhe i kufizon mjetet dhe metodat e luftës.
DHM aplikohet vetëm në situata të konflikteve të armatosura ndërkombëtare dhe jo ndërkombëtare.
Katër Konventat e Gjenevës së vitit 1949 dhe dy Protokollet Shtesë të vitit 1977 janë burimet kryesore të DHM-së.
Marrëdhënia e ngushtë midis Lëvizjes së Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe dhe Konventave të Gjenevës, që shumica i quajnë Konventa të Kryqit të kuq, ka ndodhur për shkak se në Konventat ka gjetur zbatim parimi themelor i Kryqit të kuq – humaniteti.
Çdonjëra prej katër Konventave ka të bëjë me një temë caktuar dhe një kategori personash të mbrojtur.
Konventa e Parë e Gjenevës ka të bëjë me Përmirësimin e gjendjes së të plagosurve dhe të sëmurëve në forcat e armatosura në luftë dhe përmban rregulla për mbrojtjen e të sëmurëve dhe të plagosurve të palëve ndërluftuese dhe të grupacioneve të tjera të caktuara, misionet mjekësore të forcave të armatosura dhe shoqatat nacionale të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe apo organizatat e tjera humanitare vullnetare për sigurimin e ndihmës që janë të njohura nga qeveritë e tyre për të marrë pjesë në terren gjatë konfliktit të armatosur.
Konventa e Dytë e Gjenevës zbatohet për Përmirësimin e gjendjes së të plagosurve, të sëmurëve dhe të anijembyturve të forcave të armatosura detare dhe përmban rregulla për mbrojtjen e të sëmurëve dhe të anijembyturve të plagosur pjesëtarë të palëve ndërluftuese dhe grupet e tjera të caktuara, anijet ushtarake spitalore dhe ekipazhi dhe personeli i tyre, anijet spitalore të përdorura nga shoqatat nacionale të Kryqit të kuq dhe të Gjysmëhënës së kuqe apo nga personat privatë të cilët janë të njohur nga qeveritë e tyre për të marrë pjesë në aktivitetet gjatë një konflikti të armatosur në det.
Konventa e Tretë e Gjenevës është në lidhje me trajtimin e të burgosurve të luftës dhe përmban rregulla të mbrojtjes së të burgosurve të luftës.
Konventa e Katërt e Gjenevës është e lidhur me Mbrojtjen e personave civilë gjatë luftës dhe përmban rregulla për mbrojtjen e popullsisë civile në luftë. Pjesa më e madhe e Konventës vlen për civilët që janë në duart e armikut, kryesisht për civilët në territorin e armikut apo civilët që janë gjetur në territorin e okupuar.
Protokolli i Parë Shtesë për Konventat e Gjenevës që zbatohet për viktimat e konflikteve të armatosura ndërkombëtare elaboron dhe zgjeron mbrojtjen e përcaktuar me Konventat në rast të konflikteve ndërkombëtare.
Për herë të parë në një kontratë ndërkombëtare në mënyrë eksplicite është thënë se civilët nuk mund të sulmohen direkt. Përmban dispozita për misionet civile mjekësore dhe për personat e sëmurë dhe të plagosur, mbrojtjen civile, garancitë themelore gjyqësore dhe rregulla për sjelljen gjatë veprimeve të armikut.
Protokolli i Dytë Shtesë i Konventave të Gjenevës që ka të bëjë me mbrojtjen e viktimave në konfliktet e armatosura në mënyrë të mëtejshme elaboron dhe zgjeron mbrojtjen e përcaktuar sipas Nenit të përbashkët 3 të Konventave të Gjenevës për konfliktet e armatosura jo ndërkombëtare. Ky nen është quajtur mini konventë për shkak se në një nen është përcaktuar mbrojtja minimale e viktimave të një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar. Ky nen nuk përfshin tensionet apo trazirat e brendshme siç janë veprat e izoluara të dhunës, banditizmin, rebelimet jo të organizuara dhe afatshkurta apo aktivitetet terroriste.
Luftat moderne rezultojnë me një numër të rritur të viktimave tek popullsia civile dhe sot konfliktet e armatosura jo ndërkombëtare përbëjnë pjesën më të madhe të konflikteve të armatosura.
Protokolli i Dytë Shtesë aplikohet në të gjitha konfliktet e armatosura që ndodhin në territorin e një shteti i cili ka nënshkruar Protokollin midis forcave të armatosura shtetërore dhe forcave të armatosura disidente apo grupeve të tjera të armatosura të organizuara, kur:
Janë nën komandën përgjegjëse;
Kanë kontrollin mbi një pjesë të territorit shtetëror që u mundëson për të zbatuar operacione ushtarake të përhershme dhe të përqendruara dhe për të bërë implementimin e Protokollit.
Ky Protokoll nuk zbatohet në situata të trazirave të brendshme dhe tensioneve, siç janë rrebelimet, veprat e izoluara dhe sporadike të dhunës dhe veprat e tjera të natyrës së ngjashme.
Sipas Së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare shtetet që kanë vënë nënshkrimin kanë për obligim që në kohë paqeje por edhe në luftë për të diseminuar Konventat dhe Protokollet e tyre. Përvojat tregojnë se DHM respektohet në luftë vetëm nëse me të janë të njohur mirë gjatë kohës së paqes. Aktorët humanitarë mund të luajnë një rol me rëndësi të jashtëzakonshme përmes mbështetjes së përpjekjeve qeveritare në këtë drejtim apo përmes kontrollimit dhe përkujtimit të qeverive për obligimet e tyre.
Konventat dhe Protokollet e tyre duhet të jenë inkorporuar plotësisht në ligjet nacionale që të mund të zbatohen nga ana e instrumenteve ligjore të vendit. Në disa shtete, obligimet ligjore ndërkombëtare me automatizëm bëhen pjesë e ligjeve vendore dhe në shtete të tjera është e nevojshme një rregullativë eksplicite ligjore e vendit për këtë qëllim. Veçanërisht duhet të miratohen zgjidhjet ligjore për parandalimin e emblemës dhe për të sgiuruar që kryerësit e një shkeljeje të rëndë të DHM-së të nxirren para drejtësisë.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë më 25 gusht të vitit 1993 i pranoi Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë.
Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë është seli e Komitetit nacional për Të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare, i formuar me Konkluzën dhe Vendimin e Qeverisë së RM-së, në përbërjen e të cilit bëjnë pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes, Drejtësisë, Arsimit dhe Kulturës, Shëndetësisë, Financave, Punës dhe Politikës Sociale, Punëve të Brendshme dhe të Sekretariatit Gjeneral të Qeverisë dhe Kryqit të kuq të RMV.
Komiteti nacional rishikon çështjet e fushëveprimit të tij që kanë të bëjnë me: harmonizimin e ligjvënies nacionale me të drejtën humanitare ndërkombëtare; implementimin efektiv të DHM-së duke marrë dhe monitoruar masa praktike dhe aktivitete; duke monitoruar zhvillimin e DHM-së dhe diseminimin e saj në segmente të ndryshme të jetës shoqërore; duke avancuar bashkëpunimin dhe koordinimin midis institucioneve kompetente përfshirë dhe bashkëpunimin me Kryqin e kuq të RMV-së, në drejtim të identifikimit të aktiviteteve që dalin nga fusha e DHM-së dhe obligimet ligjore.
Kryqi i kuq i RMV zhvillon programin e diseminimit të DHM-së dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë ka obligim për të njoftuar popullsinë me Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë si dhe për të kryer detyra të parashikuara në Ligjin.
Ky mini-diseminim i DHM-së është në shenjë të festimit të 44-vjetorit të miratimit të Protokolleve Shtesë të vitit 1977 të Konventave të Gjenevës së vitit 1949.