13 Dhjetor, 2018

Konferenca Rajonale “Iniciativa për përfshirjen sociale të personave të moshuar në Ballkanin Perëndimor”

Në kuadër të Projektit rajonal “Iniciativa për përfshirjen sociale të personave të moshuar në Ballkanin Perëndimor”, më 11 dhe 12 dhjetor të vitit 2018 në Beograd u mbajt konferenca rajonale e organizuar nga Kryqi i kuq i Serbisë. Qëllimi i mbajtjes së konferencës ishte rrumbullakimi i implementimit trevjeçar të aktiviteteve të projektit që u  koordinuan nga ana e Kryqit të kuq të Serbisë, dhe u realizuan në pesë vende të Ballkanit Perëndimor, Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Në Maqedoni ky projekt u realizua përmes Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë në partneritet të përbashkët me Shoqatën “Humanost”. Projekti u financua me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Agjencisë Austriake të Zhvillimit dhe Kryqit të kuq të Austrisë.

Në hapjen e konferencës të pranishmëve ju drejtuan kryetari i Kryqit të kuq të Serbisë, Prof. Dr. Dragan Radovanoviq, si dhe përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi dhe të Ambasadës së Austrisë në Beograd. Gjatë konferencës në tema të ndryshme për çështjet kushtuar pleqërisë dhe plakjes folën përfaqësuesit e ministrive të Serbisë, një përfaqësues i ekipit për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara në Serbi, përfaqësues të Organizatës ndërkombëtare HelpAge International, një përfaqësues i Federatës Ndërkombëtare – Zyra Rajonale për Evropën, përgjegjëse për kujdesin shëndetësor dhe social të personave të moshuar, si dhe përfaqësues të partnerëve të projektit.

Implementimi i projektit ka filluar më 1 shkurt të vitit 2016 si përgjigje e vendeve të Ballkanit për plakjen demografike, me qëllim që të përforcohen kapacitetet e sektorit civil për të siguruar mbështetjen për të moshuarit për përfshirjen e tyre më të mirë sociale dhe pjesëmarrjen në krijimin e politikave publike me rëndësi për pozitën e tyre. Aktivitetet e projektit përfshijnë forcimin dhe formimin e rrjetave të shoqatave qytetare me qëllim që të forcohen kapacitetet e avokimit dhe përgatitjes së planeve strategjike, hulumtimin e përfshirjes sociale të personave të moshuar në të pesë vendet, fushata publike në bazë të analizave të përgatitura nga hulumtime për përfshirjen më të mirë të personave të moshuar në proceset shoqërore të vendimmarrjes, trajnime të personave të moshuar në komunitetet me temë për të drejtat e tyre dhe mënyrën e avokimit për realizimin e të drejtave të tyre, si dhe mbështetjen e shoqatave të qytetarëve për implementimin e iniciativave të vogla për përfshirjen e personave të moshuar në komunitet.

Në këtë konferencë u ndanë rezultatet e arritura nga implementimi i projektit në të pesë vendet. Në këtë konferencë, nga Maqedonia morën pjesë përfaqësues të Kryqit të kuq të RM-së, Entit për Veprimtari Sociale, si dhe dy përfaqësues të anëtarëve të rrjetit “InkluzivaM”, nga Shoqata “Justicia” dhe Shoqata për Sëmundjen e Alzhajmerit. Në konferencë u prezantuan rezultatet e aktiviteteve të zbatuara të projektit në Maqedoni, si dhe u prezantuan praktikat pozitive nga realizimi i projekteve të vogla për përfshirjen sociale të personave të moshuar në komunitete.

Në fund të konferencës u dhanë sugjerime për një zhvillim të qëndrueshëm të rrjetave në të pesë vendet, si dhe u paralajmërua mundësia për aplikimin e ardhshëm në Thirrjen Rajonale të Bashkimit Evropian e cila pritet të shpallet vitin e ardhshëm.

< kthehu mbrapa