Shënimi i Javës së Luftës kundër Diabetit (10-16 tetor viti 2024)
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën 10-16 tetor 2024 tradicionalisht do ta shënojë Javën e luftës kundër sëmundjes së sheqerit (diabetit) nën moton “Shprehitë e jetesës së shëndetshme në parandalimin e diabetit – Edukohu dhe parandalo diabetin”. Qëllimi i fushatës është ndërgjegjësimi i popullatës për atë se çfarë është diabeti dhe parandalimi i tij përmes vendosjes së shprehive të jetesës së shëndetshme.
Sëmundja e sheqerit (diabeti) është një sëmundje kronike që shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose kur insulina e prodhuar tashmë nuk mund të përdoret në mënyrë efektive nga trupi. Vdekshmëria nga kjo sëmundje në nivel vjetor përfaqësohet me 5%. Numri më i madh i rasteve me diabet janë nga mosha 45 deri në 64 vjeç. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka rreth 200 mijë persona me diabet tip 1 dhe tip 2.
Me qëllim të kontributit të përbashkët në përpjekjet e vazhdueshme për parandalimin e diabetit, organizatat komunale të Kryqit të Kuq dhe Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit do të organizojnë punëtori edukative, duke shkëmbyer postime në rrjetet sociale dhe shumë aktivitete të tjera për ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e parandalimit dhe diagnostikimit në kohë të diabetit. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve edukative parandaluese do të përfshihen grupe të ndryshme të synuara me theks të veçantë tek popullsia e moshës 35-55 vjeç.