25 Qershor, 2021

162 vjet të Betejës së Solferinos

Këtë vit mbushen 162 vjet nga Beteja e Solferinos, e cila ndodhi më 24 qershor të vitit 1859, në Italinë veriore, ku ushtritë e Francës dhe Austrisë zhvilluan një betejë të përgjakshme që zgjati 16 orë, në të cilën morën pjesë 320.000 trupa dhe që rezultoi me 40.000 të plagosur e të vdekur në fushën e betejës. Kjo ishte karakteristike për betejat e asaj kohe, të cilat në thelb ishin masakra masive. Komandantët ushtarakë u kushtonin shumë pak vëmendje ushtarëve, të cilët ishin në numër shumë të madh. Kur plagoseshin, ndihma u jepej atyre vetëm pasi të ishin kujdesur për kuajt që ishin më pak dhe konsideroheshin si një pasuri e çmuar në fushën e betejës. Njerëzit ishin “mish për top”. Kirurgët ishin të paktë në numër. Kishte 4 veterinarë për mijëra kuaj dhe vetëm një mjek për të njëjtin numër njerëzish. Ndihma tregohej vetëm për të plagosurit lehtë, ndërsa më rëndë të plagosurit ishin të lënë pothuajse në mëshirën e vdekjes. Për ushtarët e plagosur të armikut fare nuk kushtohej vëmendje. Por pse pikërisht kjo betejë është e rëndësishme për Lëvizjen e Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe. Është e rëndësishme për shkak se janë vendosur postulatet e organizatës sonë. Anri Dynan, themeluesi i Kryqit të kuq, i cili për arsye afariste ishte dëshmitar i pamjes së tmerrshme të betejës dhe ishte aq i shqetësuar sa që kishte harruar takimin e tij me perandorin, mblodhi njerëzit e fshatit në afërsi dhe kaloi tri ditë duke u kujdesur vazhdimisht për të plagosurit. Fjalët e tij të mençura ishin Siamo tutti fratelli (ne të gjithë jemi vëllezër), që hapën zemrat e vullnetarëve të cilët i shërbyen edhe armikut edhe luftëtarëve të tyre. Dynan u kthye në Zvicër ku vazhdoi të mendojë për ankthin, dëshmitar i të cilit ishte në Solferino. Për të mos mbetur pa u shënuar e gjithë ajo që kishte përjetuar, ai shkroi një libër të titulluar si “Kujtimet e Solferinos”. Qëllimi kryesor i Dynanit ishte të kthejë vëmendjen e botës drejt realitetit të luftës. Librin ua dërgoi familjeve sunduese të Evropës, si dhe liderëve ushtarakë, politikanëve, filantropëve dhe miqve. Libri promovoi dy ide themelore të cilat më vonë u treguan si ide të rëndësisë thelbësore: Në çdo vend të formohet një Shoqatë për dhënien e ndihmës e përbërë nga vullnetarë të cilët do të kujdesen për të plagosurit gjatë kohës së luftës (që më vonë rezultoi me formimin e shoqatave nacionale të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe) Të promovohet një marrëveshje ndërkombëtare që do të mbronte ushtarët e plagosur në fushën e betejës dhe ata që kujdesen për ta, duke u siguruar atyre një status neutral (që më vonë rezultoi me miratimin e Konventave të Gjenevës dhe Të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare). Prandaj Beteja e Solferinos është kaq e rëndësishme për Lëvizjen e Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe. Ajo na përkujton fillimet tona, të misionit tonë human. Prandaj atë e shënojmë në të gjithë botën përmes vullnetarëve tanë dhe organizatave komunale të Kryqit të kuq në të gjitha kontinentet, për shkak se ka frymëzuar formimin e organizatës sonë, e cila edhe pas 162 vjetësh i përfaqëson dhe lufton për të njëjtat ideale dhe parime. Ju ftojmë, në këtë datë (24 qershor, viti 2021 ) me rastin e zbatimit të aktiviteteve tona në mjediset tuaja lokale, të gjithë së bashku të përkujtojmë rëndësinë e kësaj ngjarjeje për organizatën tonë.

< kthehu mbrapa