Fjalimi i Sekretarit të Përgjithshëm D-r. Sait Saiti
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut
zt. Talat Xhaferi
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq,
Të nderuar mysafirë dhe të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
E Drejta Ndërkombëtare Humanitare (DNH) është një segment i së drejtës ndërkombëtare e cila bashkon instrumentet ndërkombëtare-juridike që aplikohen në rastet e konflikteve të armatosura. Limitimi i efekteve të konflikteve, është një çështje që komuniteti ndërkombëtar dhe vendet i kushtojnë vëmendje të veçantë. Detyrim ligjor dhe statutor i Kryqit të Kuq është diseminimi, promovimi dhe afirmimi i Së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare në vendin tonë, për çka jep mbështetje KNKK, i cili njëkohësisht është quajtur edhe mbrojtësi i Konventave të Gjenevës.
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtar i barabartë i Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, realizon aktivitetet e tij në fushën e diseminimit, duke u nisur nga korpusi i instrumenteve ndërkombëtare në bazën e të cilave janë Konventat e Gjenevës së vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë të vitit 1977 dhe 2005, si dhe dokumentet themelore të Shoqatës Nacionale siç janë Ligji dhe Statuti i Kryqit të Kuq të RMV-së.
Lidhja e ngushtë midis Lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe Konventave të Gjenevës, të cilat nga shumë njerëz janë quajtur gjithashtu Konventa të Kryqit të Kuq, është krijuar për shkak se në Konventat ka gjetur zbatim parimi themelor i Kryqit të Kuq – humanizmi.
Shoqata Nacionale në planin e diseminimit realizon programe trajnimi për diseminatorë, edukim për grupet e veçanta qëllimore, bën realizimin e fushatës për përdorimin dhe mbrojtjen e emblemës së Kryqit të Kuq, promovimin e vlerave humane, organizimin e një konference ndërkombëtare mbi DNH-në, garë të DNH-së në mes universiteteve në RMV, shkollë verore për DNH-në, punëtori të DNH-së për studentët, shkëmbimin e përvojave me shoqatat nacionale të tjera, krijimin e një platforme teknike të komunikimit më të mirë dhe më të suksesshëm. Me qëllim të realizimit të aktiviteteve dhe punëve që rrjedhin respektivisht përcaktohen nga Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë dhe Ligji i Kryqit të Kuq të RMV-së, në Kryqin e Kuq të RMV-së funksionon Shërbimi i Kërkimit – Rivendosja e lidhjeve familjare, detyra kryesore e të cilit është bashkimi i familjeve të shpërngulura dhe transmetimi i mesazheve midis anëtarëve të familjeve të ndara si rezultat i një konflikti.
Në vitin 2004, Kryqi i Kuq i RM-së inicioi një propozim për krijimin e një organi ndër-sektorial për të avancuar implementimin e DNH-së, duke ndjekur praktikën e vendeve të tjera. Duke pranuar iniciativën, Ministria e Punëve të Jashtme konsideroi se krijimi i një Komiteti Nacional të DNH-së ishte në përputhje me angazhimin e Qeverisë për integrimin e përshpejtuar të Republikës së Maqedonisë në BE.
Formimit të Komitetit Nacional i parapriu përgatitja e një studimi mbi implementimin e DNH-së në RM, rreth të cilit u angazhua Prof. Dr. Vlladimir Ortakovski, aktivist shumëvjeçar i Kryqit të Kuq dhe anëtar i Komitetit Nacional. Me këtë rast do të doja të përshëndes z. Ortakovskin, i cili është i pranishëm në këtë ngjarje dhe të shpreh falënderimet e mia për kontributin e tij.
Komiteti Nacional i DNH-së rishikon çështje dhe jep rekomandime në lidhje me: harmonizimin e legjislacionit nacional me të drejtën ndërkombëtare humanitare, implementimin efektiv të DNH-së duke marrë dhe monitoruar masa dhe aktivitete praktike, duke monitoruar zhvillimin e DNH-së dhe diseminimin e saj në segmente të ndryshme të jetës shoqërore, duke avancuar bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet institucioneve kompetente përfshirë dhe bashkëpunimin me Kryqin e Kuq.
Republika e Maqedonisë së Veriut është në një nivel të lakmueshëm sa i përket ratifikimit të marrëveshjeve të DNH-së dhe implementimit dhe diseminimit të tyre. Sidoqoftë, duhet të bëhet më shumë për implementimin e tyre më të plotë dhe diseminimin më të gjerë të tyre.
Në këtë drejtim duhet të rriten përpjekjet e institucioneve kompetente për avancimin e mëtejshëm të aplikimit të normave të Së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare në vendin tonë.
Kryqi i kuq gjithashtu përmes aktiviteteve të avokuara dhe instrumenteve të diplomacisë humanitare duhet të jetë proaktiv në realizimin e rolit të ndihmësit të autoriteteve shtetërore duke u përfshirë dhe duke vënë në dukje rëndësinë e aplikimit të normave dhe standardeve ndërkombëtare në legjislacionin nacional.
Të nderuar,
Më lejoni në emër të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal të shpreh falënderimin për KNKK-në për mbështetjen në zhvillimin e aktiviteteve të diseminimit të DNH-së në vendin tonë, një falënderim për Qeverinë e RMV-së për partneritetin dhe mbështetjen në funksionimin e Kryqit të Kuq në vend duke kontribuar në mënyrë të përbashkët për uljen e prekshmërisë në shoqëri.
Një falënderim i veçantë për Kryetarin e Kuvendit z. Talat Xhaferi dhe deputetët e dhomës ligjvënëse që mundësuan të mbahet ky takim që do të jetë një kontribut për avancimin dhe përfshirjen e normave juridike ndërkombëtare në legjislacionin nacional.
Ju faleminderit.