Pjesëmarrja në seminarin mbi Të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare
Në Qendrën e trajnimit *Dr. Xhozef Kruzel*, kazerma Goce Dellçev, Shkup, më 13 qershor është mbajtur seminari mbi Të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare, i cili është në kuadër të kalendarit të trajnimeve të specializuara për vitin 2017 të Ministrisë së Mbrojtjes.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë është rezultat i Memorandumit të bashkëpunimit i nënshkruar në mes të Kryqit të kuq të RM-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe i ftesës për të marrë pjesë dhe për të ligjëruar mbi temën konkrete.
Në këtë seminar morën pjesë edhe përfaqësues të Armatës së Republikës së Maqedonisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendrës për Menaxhimin me Kriza.
Qëllimi i seminarit ishte që pjesëmarrësit nga një perspektivë më e gjerë të shohin aplikimin e të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të marrin njohuri të reja nga kjo fushë.
Në këtë seminar janë prezantuar këto tema: Parimet themelore, Implementimi dhe përgjegjësia për shkeljet e Të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare, Statusi i refugjatëve dhe i azilkërkuesve në Të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare, E Drejta Humanitare Ndërkombëtare në forcat e armatosura, Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë përkitazi me përdorimin dhe mbrojtjen nga keqpërdorimi i emblemës së Kryqit të kuq.
Seminari u zhvillua përmes prezantimeve, pyetjeve të parashtruara dhe evalvimit përfundimtar.
Pjesëmarrësit e Kryqit të kuq të RM-së në mënyrë konstruktive u përfshinë në të gjitha temat dhe duke informuar për aktivitetet e Kryqit të kuq në këtë fushë ngjallën interesimin tek ligjëruesit dhe pjesëmarrësit.
Pjesëmarrja në lloje të këtilla të seminareve është me interes për Kryqin e kuq të RM-së për të marrë njohuri të reja dhe për të këmbyer përvoja, por edhe për të promovuar dhe diseminuar aktivitetet e Kryqit të kuq.
Është i nevojshëm bashkëpunimi me institucionet për organizimin e seminareve, punëtorive dhe trajnimeve të tjera, por edhe për të zgjeruar fondin e literaturës nga fusha e DHM-së me dokumente të kësaj lënde për arsye se ekziston një interesim i rritur tek përfaqësuesit e institucioneve arsimore.