21 Nëntor, 2017

Prezantimi i rezultateve të hulumtimit në temën: “Nevoja për shërbime sociale dhe shëndetësore për të moshuarit”

Në kuadër të shënimit të “Javës së kujdesit për të moshuarit”, më 21 nëntor në Kryqin e kuq të RM-së u mbajt një pres-konferencë në të cilën u prezantuan rezultatet e hulumtimit në temën: “Nevoja për shërbime sociale dhe shëndetësore për të moshuarit”, i cili është zbatuar në kuadrin e Projektit Rajonal “Ndërmarrja e aksionit për përfshirjen sociale të personave të moshuar”, është financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementimin i tij është bërë nga Kryqi i kuq i RM-së në partneritet me Shoqatën “Humanost”.

Në këtë pres-konferencë të pranishmëve ju drejtuan: Dr. Sait Saiti, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të kuq të RM-së, Dr. Elmi Aziri, zëvendësministër i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Dr. Goce Çakarovski, zëvendësministër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe znj. Ambasadore Mr. Renate Kobler e Ambasadës Austriake në Republikën e Maqedonisë.

Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të kuq të RM-së, Dr. Sait Saiti, theksoi se me anë të përpjekjeve të përbashkëta mund të marrim pjesë në mënyrë të avancuar në dialogun politik me qëllim që të ndikojmë në proceset e krijimit të politikave dhe të marrim vendime për përmirësimin e cilësisë së jetës së personave të moshuar. Gjithashtu, ai i theksoi edhe rezultatet e hulumtimit se R. e Maqedonisë është duke u ballafaquar me një numër të madh të popullsisë së vjetër. Me 15% popullsi të vjetër mbi 60 vjeç, në regjistrimin e fundit në vitin 2002, Republika e Maqedonisë e tejkalon koeficientin e popullsisë së vjetër prej 12%. Sipas të dhënave statistikore popullsia e vjetër në vitin 2008 merrte pjesë me 16,6% në gjithë popullsinë e RM-së. Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë se jetëgjatësia në Republikën e Maqedonisë në vazhdimësi do të rritet dhe pritet që ajo në vitin 2050 të arrijë në 79,5 vjet, ose 33,0 % e popullsisë së vjetër.  

Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Dr. Elmi Aziri theksoi se të moshuarit kanë të drejtë të plotë për të qenë qytetarë të barabartë, kanë të drejtë për të qenë të mbrojtur dhe të kursyer nga diskriminimi, si dhe në mënyrë të barabartë të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre njerëzore.

Zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Goce Çakarovski theksoi se Ministria e Shëndetësisë mbështet iniciativën për hapjen e qendrave për ofrimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore për të moshuarit në vend.

Z-nj. Ambasadore Mr. Renate Kobler e Ambasadës Austriake në R. e Maqedonisë, theksoi përvojat dhe praktikat e deritashme, si dhe mundësitë për një bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet Kryqit të kuq të RM-së, Kryqit të kuq të Austrisë dhe Ambasadës Austriake në R. e Maqedonisë.

< kthehu mbrapa