29 Gusht, 2019

Shtatëdhjetë vjet nga miratimi i Konventave të Gjenevës

 

Këtë vit shënojmë shtatëdhjetë vjet nga miratimi i Konventave të Gjenevës të 12 gushtit të vitit 1949. Ato përfaqësojnë rregulla humanitare të cilat gjatë luftës duhet të respektohen dhe zbatohen edhe ndaj armikut. Këto rregulla janë të rregulluara nga katër Konventat e Gjenevës të 12 gushtit të vitit 1949 dhe Protokollet e tyre Shtesë. Konventat e Gjenevës bazohen në idenë e respektimit të individit dhe dinjitetit të tij. Qëllimi kryesor i Konventave të Gjenevës është të sigurojë mbrojtjen e personave që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi ose që nuk luftojnë për arsye të sëmundjes, lëndimeve ose robërisë, ose për ndonjë arsye tjetër, ata duhet të respektohen dhe mbrohen nga efektet e luftës; ata që vuajnë duhet të ndihmohen dhe të kujdesen pa diskriminim.

 

Respektimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare është një nga angazhimet thelbësore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, i cili bazohet në dispozitat e Konventave të Gjenevës dhe të Protokolleve Shtesë. Prandaj, është me rëndësi të madhe të promovohen vazhdimisht këto dokumente tek institucionet dhe individët e synuar, në mënyrë që të sigurohet respektimi i vazhdueshëm gjatë konflikteve ushtarake ndërkombëtare dhe jo ndërkombëtare.

 

Implementimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare si një segment i së drejtës ndërkombëtare që bashkon instrumentet juridike ndërkombëtare të aplikuara në raste të konflikteve të armatosura për të kufizuar pasojat e tyre, është një çështje të cilës bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet i kushtojnë vëmendje të veçantë. Republika e Maqedonisë është një shtet-palë kontraktuese e shumicës së marrëveshjeve ndërkombëtare të fushës së të drejtës ndërkombëtare humanitare. Më 12 gusht të vitit 2019, është 70-vjetori i miratimit të katër Konventave të Gjenevës, të cilat konsiderohen si burimet kryesore të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, shtetet nënshkruese kanë detyrimin që në kohë paqe dhe në luftë të diseminojnë Konventat dhe Protokollet e tyre.

 

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut punon me përkushtim në promovimin e DNH-së dhe sigurimin e mbështetjes për autoritetet nacionale në harmonizimin e legjislacionit nacional me të drejtën ndërkombëtare humanitare; implementimin efektiv të së drejtës ndërkombëtare humanitare duke ndërmarrë dhe monitoruar masa dhe aktivitete praktike; monitorimin e zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe diseminimin e saj në segmente të ndryshme të jetës shoqërore dhe avancimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve kompetente, përfshirë sigurimin e mbështetjes operative për funksionimin e Komitetit Nacional për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, me seli në Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

< kthehu mbrapa