21 Mars, 2023

Sot, kur shënojmë 78 vjet nga themelimi i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, na kujtohen fillimet tona, zhvillimi ynë, por sigurisht edhe gjeneratat e vullnetarëve dhe punonjësve që kontribuan në këtë organizatë dhe ishin gjithmonë aty, aty ku nevojitet. Në fund të fundit, përvjetorët shërbejnë për të kujtuar dhe për të dhënë mirënjohje.

Me këtë rast, shpreh mirënjohjen time për të gjithë emrat dhe pa emër që investuan në organizatën, e cila sot është një vend njohjeje, ku ushqehet solidariteti, humanizmi, dinjiteti dhe vlerat themelore njerëzore.

Por ne nuk ishim të vetëm në atë rrugë, ne kemi qenë gjithmonë të mbështetur nga institucionet e sistemit, sektori i korporatave, partnerët, qytetarët, donatorët brenda dhe jashtë vendit, për çka i falënderoj në emër të të gjithëve ne në Kryqin e Kuq.

I falënderoj gjithashtu për besimin e tyre për të ecur së bashku, për të kontribuar dhe ndihmuar për të reduktuar vuajtjet e dikujt dhe për të sjellë një buzëqeshje në fytyrat e njerëzve.

Duke krahasuar botën në të cilën jetojmë me kohën kur lindi ideja e Kryqit të Kuq, do të shohim se qëllimet e punës humanitare nuk ndryshojnë shumë, por situata e përgjithshme në botë është shumë më komplekse, gjë që kërkon gjetjen e qasjeve të reja për veprim efektiv në të gjitha sferat e veprimit. Ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi për t’u përshtatur me një botë që ndryshon vazhdimisht dhe me shpejtësi.

Sot, pa dyshim, puna e Kryqit të Kuq është më aktuale dhe më e nevojshme se kurrë, sepse bota sot i ngjan një anijeje që lundron në një det të trazuar me shumë pabarazi, shfrytëzim, poshtërim, frikësim, luftëra, fatkeqësi natyrore dhe migrime njerëzore si rezultat i kushteve ekonomike, politike, sociale dhe klimatike.

Emëruesi i përbashkët që shënon të gjitha këto kushte është mungesa e humanizmit dhe respektit.

Prandaj, një sfidë tjetër e madhe përpara nesh është mobilizimi i ndërgjegjes përmes promovimit të mëtejshëm të instrumenteve avokuese dhe diplomacisë humanitare, të cilat do t’u kujtojnë faktorëve pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe në mënyrën më të mirë do të kuptojmë rolin e ndihmës së autoriteteve në vend dhe më gjerësisht në kuadrin ndërkombëtar.

Jeta shpesh është e mbushur me dhimbje, trishtim, pakënaqësi dhe vështirësi dhe na bën të mendojmë nëse ka një arsye dhe sa njerëz të mirë mund të jemi.

Por ne kemi gjithmonë vetëm një përgjigje……. Le të harrojmë për një moment veten, të mendojmë pak për të tjerët sepse vetëm kështu do të kuptojmë se cila është nevoja për të qenë të mirë. Dhe kur njeriu ka fuqi të zbukurojë jetën e dikujt bëhet i pasur shpirtërisht dhe duke i lumturuar të tjerët, ai bën edhe veten e tij të lumtur. Një njeri që nuk ka ditur të jetë human mund ta mësojë, sepse ajo cilësi nuk fitohet me lindje, por mësohet.

Në fakt, veprat e mira janë shumë më afër natyrës njerëzore, jo e liga. Prandaj nuk duhet të besojmë se jetojmë në një shoqëri çnjerëzore. Humanizmi dhe solidariteti vazhdojnë të jenë udhërrëfyesi dhe frymëzimi ynë në përpjekjen për të bërë një ndryshim pozitiv në jetën e njerëzve.

Njerëzimi nuk thuhet, tregohet dhe vërtetohet, nuk improvizohet, por praktikohet realisht dhe sinqerisht nga zemra.

Qytetarët tanë në ditët e kaluara kanë treguar dhe dëshmuar humanizëm në veprim duke shfaqur një masë të madhe solidariteti dhe simpatie me trishtimin dhe pafuqinë përballë forcës së natyrës në Republikën e Turqisë dhe Sirisë.

Faleminderit që na dhatë mundësinë ta artikulojmë atë humanizëm dhe solidaritet dhe t’ua përcjellim në emrin tuaj popujve vëllezër të Turqisë dhe Sirisë.

 

Të nderuar,

Në periudhën e ardhshme ne vazhdojmë të punojmë për të siguruar një jetë më dinjitoze për njerëzit që kanë nevojë për mbështetje dhe për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë, bazuar në vlerat humane, duke u përpjekur të jemi gjithmonë aty ku kemi më shumë nevojë.

Ju ftoj të jeni pjesë e historisë sonë dhe Siç thotë Nënë Tereza

….. Nëse nuk mund të ushqejmë njëqind njerëz, le të ushqejmë një person – kështu do ta dimë se ekzistojmë, kështu do të ndihemi të gjallë…….

 

Ju falemnderit për vëmendje

< kthehu mbrapa