24 Mars, 2022

24 Маrs, viti 2022

Zonja dhe zotërinj,

 

Më jep kënaqësi të veçantë që në emër të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, t’ju dëshiroj mirëseardhje të përzemërt në shënimin e Ditës së dhurimit të gjakut në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut shënon 77 vjetorin e themelimit, për të cilin është e pashmangshme të kujtojmë se 17 Marsi është dita kur ne vlerësojmë kontributin dhe arritjet e pabesueshme të vullnetarëve dhe punonjësve tanë të cilët me vetëmohim ushqejnë humanizëm dhe përkushtim për njerëzimin. Jetojmë në një kohë kur, në të gjithë botën, krizat po bëhen më komplekse dhe nevoja humanitare është e madhe. Gjithnjë e më shumë jetë po shkatërrohen nga konfliktet e armatosura, dhuna dhe ndryshimet klimatike dhe kur ndodhin fatkeqësi natyrore, situata është më e rëndë dhe më e madhe. Dinamika e re komplekse që është karakteristike në kohë katastrofash natyrore dhe konflikte të ndryshme nënkupton një gjë – se puna e vullnetarëve tanë dhe stafit të Kryqit të Kuq është më e rëndësishme se kurrë.          

17 Marsi është edhe Dita e dhurimit të gjakut në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dita e më trimave nga ne, dhuruesve të gjakut. Kjo është arsyeja pse unë dua t’u bëj nderime të gjithë atyre që dhurojnë gjak dhe plazmë gjaku dhe të shpreh mirënjohje për njerëzit që shpëtojnë jetë në këtë mënyrë. Gjatë pandemisë KOVID-19, ne vazhdimisht u bëjmë thirrje dhuruesve të gjakut që të vazhdojnë shërbimin e tyre thelbësor për të mbështetur dhe ruajtur sistemin tonë të kujdesit shëndetësor. Me gjithë vështirësitë dhe pasojat e padëshiruara, konfirmohet gatishmëria e qytetarëve për të dhuruar në numër sa më të madh, gjë që do të ruajë nivelin e nevojshëm dhe të plotë të furnizimit me gjak. Një gjë do të mbetet gjithmonë konstante: duke dhuruar gjak, dhuruesit shpëtojnë jetë. Dhe për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës.

Do të doja të theksoja humanizmin, sepse ai është udhërrëfyesi ynë i vetëm për të vazhduar punën tonë më fort dhe më aktiv në të ardhmen.

Në vitin e kaluar janë arritur rezultate të shkëlqyera në fushën e dhurimit të gjakut në RMV. Detyrimet planifikuese janë përmbushur, të gjitha nevojat për gjak janë plotësuar në kohën e duhur. Vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe mbështetje të vazhdueshme të institucioneve shtetërore mund të arrijmë standarde të larta për gjak të sigurt dhe të garantojmë vetë-mjaftueshmërinë kombëtare me njësitë e nevojshme të gjakut.

Në vitin 2021, Kryqi i Kuq i RMV-së në bashkëpunim me Institutin për Mjekësi Transfuzive në RMV organizuan 683 aksione të dhurimit të gjakut përmes të cilave janë siguruar gjithsej 53.133 njësi gjaku.

 

Me këtë rast më lejoni të uroj edhe një herë Ditën e dhuruesve të gjakut dhe t’u dërgoj urime organizatave komunale të Kryqit të Kuq për rezultatet e arritura.

< kthehu mbrapa