9 Maj, 2017

8 Maji – Dita Botërore e Kryqit të kuq dhe e Gjysmëhënës së kuqe dhe 8-15 Maji – Java e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë

Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë sot shënoi 8 Majin – Ditën Botërore të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe. Me këtë rast u promovua pulla postare dhe në kuadër të këtij shënimi, Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë me organizatat komunale të Kryqit të kuq dhe Kryqi i kuq i qytetit të Shkupit u përfshinë në fushatën globale të Federatës ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe që zhvillohet me moton “Gjithkund për çdokënd”.

Dita Botërore e Kryqit të kuq dhe e Gjysmëhënës së kuqe shënohet në të 190 shoqatat nacionale për nder të themeluesit të Lëvizjes së Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe, Anri Dinan, i cili është lindur pikërisht më 8 maj. Në vitin 1863, idenë e vet Anri Dinan e prezantoi në librin e tij historik “Kujtimet për Solferinon”, e cila u transformua në realitet nëpërmjet krijimit të Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq dhe themelimit të shoqatave të para nacionale, dhe pastaj në vitin 1864 me miratimin e Konventës së Parë të Gjenevës. Të udhëhequr nga parimet themelore, mobilizojmë fuqinë e humanizmit për të shpëtuar jetë dhe reduktojmë vuajtjet.

Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë është organizata e vetme në territorin e Republikës së Maqedonisë, e cila është e përbërë nga një rrjet prej 34 organizatave komunale të Kryqit të kuq, Kryqi i kuq i qytetit të Shkupit, me gjithsej 102 persona të punësuar, 10.042 anëtarë të regjistruar dhe 3.648 vullnetarë aktivë që janë pjesë e bashkësive lokale dhe janë urë për përdoruesit tanë përfundimtarë.

Ngjarjen e hapi Kryetari i Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, Dr. Millço Trajkov i cili shkurtimisht ndau me të pranishmit angazhimin e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë si Lëvizja më e madhe humanitare në botë në aspekt të qasjes në mbrojtjen shëndetësore dhe mbështetjen e njerëzve të prekur nga krizat, katastrofat, epidemitë e viruseve, duke siguruar njëkohësisht ushqim dhe strehim. Më tej, ai theksoi se Lëvizja siguron rivendosjen e lidhjeve familjare dhe mbështetjen forenzike, mbështetjen psikologjike dhe financiare për familjet në të cilat ka persona të zhdukur si rezultat i konflikteve, katastrofave dhe krizave. Lëvizja e Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe është përkushtuar në zgjidhjen e nevojave të migruesve, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes dhe ndihmës përgjatë shtigjeve të migruesve. Lëvizja reagon në nevojat për ujë të domosdoshëm dhe në nevojat sanitare gjatë krizave dhe siguron ndihmën e shpejtë dhe intervenimet e shpëtimit.

Foli edhe Drejtori i përgjithshëm dhe Kryetar i Këshillit Drejtues i SHA Posta e Maqedonisë – Shkup, z. Faadis Rexhepi i cili shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm të SHA Posta e Maqedonisë dhe Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë. Ai theksoi se: Si rezultat i bashkëpunimit është lëshuar një pullë postare me pagesë shtesë me rastin e 8 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe të cilën duam ta potencojmë edhe një herë dhe ta promovojmë rëndësinë e mirëkuptimit të ndërsjellë, miqësisë, bashkëpunimit dhe paqes së qëndrueshme midis të gjithë njerëzve.

< kthehu mbrapa