Delegacioni i Kryqit të kuq të RM-së në takimin punues me Kryeministrin e RM-së Zoran Zaev
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, Sait Saiti sot më 08 mars, realizoi një takim me Kryeministrin Zoran Zaev. Në këtë takim në mënyrë të përbashkët u konstatua se kjo organizatë humanitare luan një rol kyç në shoqërinë, kur është në pyetje humanizmi. “Kryqi i kuq ndihmon shtetin, institucionet, dhe nga ana tjetër pushteti na respekton dhe na njeh si partner të vetin”, theksoi sekretari i përgjithshëm, Sait Saiti. Kryeministri Zaev në takimin e sotëm shprehu dëshirën për të thelluar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin e Kryqit të kuq me Qeverinë dhe me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Duke potencuar se Kryeministri Zaev shumë herë deri tani ka dëshmuar humanizmin e tij, Sekretari i përgjithshëm, Saiti, kërkoi mbështetjen e Kryeministrit Zaev për ndryshimin e disa rregulloreve ligjore që kanë të bëjnë me punën e Kryqit të kuq.
Siç tha Saiti, me ndryshimet në ligjin e sigurisë në komunikacion, do të rregullohet lëshimi i certifikatave të ndihmës së parë për shoferë. Paralelisht, konsideron Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të kuq, me ndryshimet në ligjin e Kryqit të kuq në masë të madhe do të forcohen kapacitetet e organizatës. Saiti kërkoi nga Kryeministri Zaev Qeveria të ndryshojë “Programin për avancimin e dhurimit të gjakut”, gjegjësisht të rritet shuma që e merr Kryqi i kuq nga buxheti për një njësi të mbledhur gjaku.
“Qeveria ka respekt të madh për Kryqin e kuq dhe punën e tij, në interes të qytetarëve. Nëse me ndryshimet në këto dispozita ligjore, arrijmë të forcojmë kapacitetin e kësaj organizate, e di se ajo do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve”, theksoi Kryeministri Zaev.
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të kuq, takimin e shfrytëzoi për të njoftuar Kryeministrin Zaev se Kryqi i kuq posedon “certifikatën e shoqatës së fortë nacionale”. Saiti theksoi se organizata vazhdimisht i zgjeron kapacitetet e saja me të vetmin qëllim – të ndihmojë një numër sa më të madh qytetarësh të lëndueshëm.
Kryeministri Zaev në takimin e sotëm mori ftesë për të marrë pjesë në kremtimin e 73-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, që shënohet kah mesi i këtij muaji.