9 Maj, 2022

Fjalimi me rastin e Promovimit të fushatës së ndihmës së parë i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të RMV, d-r Sait Saiti

Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju përshëndes në Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, 8 Maj, kur kthehemi në fillimet tona, në misionin humanitar të Kryqit të Kuq, i cili vazhdimisht bën progres në nivel lokal dhe global, duke kontribuar për promovimin e shëndetit dhe mirëqenien e njerëzve në sfera të ndryshme të jetës shoqërore.

Një nga detyrat themelore të Kryqit të Kuq, në përputhje me Konventat e Gjenevës dhe Ligjin për Kryqin e Kuq, është të ndihmojë institucionet në vend në ofrimin e mbështetjes plotësuese për trajtimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, në ribashkimin e familjeve të ndara si rezultat i luftës dhe migrimit, gjithashtu ofron shërbime që synojnë promovimin e shëndetit dhe sigurisë së njerëzve dhe ofrimin e mbështetjes për kategori të ndryshme sociale të përdoruesve.

Qytetarët tanë na njohin veçanërisht për aktivitetet tona për ngritjen e vetëdijes së popullatës për mbrojtjen dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, promovimin e dhurimit të gjakut dhe sigurisht përmes aktiviteteve që organizojmë për përmirësimin e aftësive për ofrimin e ndihmës së parë në vend. Me kënaqësi të madhe sot dua të mbaj vëmendjen tuaj tek ndihma e parë, në këtë aktivitet humanitar që po e realizojmë me sukses prej dekadash për të përmirësuar aftësitë jetëshpëtuese të qytetarëve tanë.

Çdo ditë mijëra njerëz në mbarë botën humbasin jetën ose vuajnë pa nevojë si pasojë e ndihmës së parë të dhënë jo në kohë dhe jo adekuate. Sigurisht, këtë mund ta ndryshojmë ndjeshëm nëse ndryshojmë perceptimin e njerëzve në mënyrë që të jemi më të vetëdijshëm për rëndësinë dhe nevojën për t’i trajnuar ata për të dhënë siç duhet ndihmën e parë.

Ndihma e parë paraqet kujdesin fillestar për një person të lënduar ose të sëmurë papritmas. Ai kujdes nënkupton ndërmarrjen në kohë të procedurave, masave dhe aktiviteteve të kujdesshme për të shpëtuar jetën e të lënduarit, mbrojtje nga lëndimet e mëtejshme, uljen e dhimbjes dhe frikës dhe parandalimin e komplikimeve të mundshme.

Kryqi i Kuq ndër vite ka dhënë një kontribut të veçantë për Republikën e Maqedonisë së Veriut në promovimin e ndihmës së parë. Organizojmë kurse për trajnimin e kandidatëve për shoferë si dhe trajnime për ndihmën e parë për organizatat punuese. Por ne japim një kontribut të veçantë në promovimin e ndihmës së parë në institucionet arsimore ku që në moshë të vogël u mësojmë të rinjve se si të japin siç duhet ndihmën e parë. Gjithashtu organizojmë gara komunale dhe kombëtare për ndihmën e parë për të rinjtë me qëllim që të ndërgjegjësojmë më tej dhe të përmirësojmë njohuritë e tyre për ndihmën e parë.

Në të njëjtën frymë, sot duam të shpallim fushatën e re të Kryqit të Kuq për promovimin e ndihmës së parë, të cilën do ta zbatojmë me moton “Ndihma e parë shpëton jetë”. Në kuadër të fushatës Kryqi i Kuq do të zhvillojë trajnime për ndihmën e parë falas me të cilat synojmë të përfshijmë 25 mijë fëmijë të shkollave fillore dhe të mesme. Ne do ta organizojmë këtë fushatë përmes Kryqit të Kuq në të gjithë vendin. Në këto trajnime fëmijët do të kenë mundësi të marrin njohuritë bazë për ndihmën e parë si një ndërhyrje e shpejtë dhe jetike që synon shpëtimin e jetës së njerëzve, por edhe uljen e komplikimeve të ndodhura nga lëndimet dhe invaliditeti.

Por ndihma e parë nuk është vetëm njohuri dhe aftësi për tu zbatuar aftësitë për shpëtimin e jetës. Ndihma e parë paraqet humanitetin në aksion, dëshira për të ndihmuar, me respekt të plotë për llojllojshmëritë dhe pa diskriminim. Ndihma e parë është një gjest solidariteti, një gjest që mobilizon njerëzit dhe komunitetet për të ruajtur dhe mbrojtur jetën.

Të nderuar,

Ne sinqerisht shpresojmë se do të na bashkoheni në aktivitetet që do të realizojmë si pjesë e fushatës sonë e cila synon gjithashtu të frymëzojë të rinjtë në shkolla me frymën e humanizmit, njerëzimit dhe mirësisë mesazhi i të cilëve është thurur në festën e sotme të Kryqit të Kuq. Shpresojmë që shumë nga këta të rinj në të ardhmen të bëhen pjesë e Lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe të vazhdojnë të promovojnë solidaritetin dhe humanizmin, gjë që do ta bëjë vendin tonë një vend më të këndshëm për të jetuar.

Ju falemnderit

< kthehu mbrapa