14 Gusht, 2017

“Krijimi i mundësive për punësime të reja të grave”

Në kuadër të Projektit “Krijimi i mundësive për punësime të reja të grave”, në muajt maj dhe qershor të vitit 2017, përfundoi procesi i përzgjedhjes së kandidateve për kujdestare të personave të moshuar dhe të pafuqishëm.

Mbi pesëdhjetë kandidate u përfshinë në përzgjedhjen ku përfshihej një intervistë e shkurtër, një pyetësor sociologjik dhe psikologjik. Dëshira për forcimin profesional dhe interesimi për këtë profesion i motivuan kandidatet tona për t’u paraqitur në këtë thirrje.

Në periudhën e njëjtë, një ekip prej tre ekspertësh krijuan Programin e trajnimit të kujdestarëve/eve të personave të moshuar dhe të pafuqishëm, dhe ai u verifikua nga ana e Qendrës së Arsimit për Të Rritur. Njëkohësisht, u përpunua një Manual i punës me personat e moshuar dhe të  pafuqishëm që ka për qëllim të shërbejë si udhëzues në sigurimin e kujdesit për personat e moshuar. Në këtë mënyrë kandidatet që përfundojnë me sukses trajnimin do të marrin një certifikatë që njihet në Republikën e Maqedonisë. 

Gjatë korrikut, një ekip prej dy punonjësish socialë dhe një psikolog kishin takime me përfaqësuesit e Qendrave ditore për personat e moshuar, në kuadër të Kryqit të kuq të qytetit të Shkupit dhe Shoqatës së Pensionistëve, me qëllim të sigurimit të informacioneve për kandidatet potenciale për fazën pilot të kujdesit në kushte shtëpiake. Përveç kësaj, u mbajt një takim me përfaqësuesit e shërbimeve mjekësore të patronazhit të IP Shtëpia e Shëndetit – Shkup, të cilët dhanë informacione për kandidatët potencialë të personave të moshuar që kanë nevojë për kujdes.

Implementimi i Projektit “Krijimi i mundësive për punësime të reja të grave” është bërë nga ana e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë në partneritet me Shoqatën “Humanost”, Shkup dhe Kryqin e kuq të Austrisë, dhe është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit Operativ të Zhvillimit të Resurseve Njerëzore 2007-2013 (komponenti 4 i IPA-s).

< kthehu mbrapa