Kryetari Pendarovski në vizitë në Kryqin e Kuq
Kryetari i RMV-së Stevo Pendarovski sot mori pjesë në takimin e Bordit drejtues të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u diskutua për zhvillimin e vullnetarizmit në vend dhe u prezantua procesi “Transformimi 28” si kornizë zhvillimore për organizatën në periudhën e ardhshme pesëvjeçare.
Kryetari Pendarovski u njoftua për aktivitetet e deritanishme të Kryqit të Kuq, për rekomandimet e tyre për përmirësimin e zgjidhjeve ligjore në lidhje me vullnetarizmin, si dhe për nevojën e gjetjes së formave dhe përmbajtjeve të reja, kreative për inkurajimin dhe mobilizimin e vullnetarëve.
Kryetari theksoi se është e rëndësishme ruajtja e nivelit të motivimit te vullnetarët edhe në periudha kur nuk përballemi me situata krize, siç ishte rasti me pandeminë, duke theksuar se nuk ka motiv më të mirë për të inkurajuar vullnetarizmin sesa dhënia e shembujve praktik dhe personal. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje rëndësinë dhe përfitimin e përfaqësimit të strukturave të ndryshme brezash në radhët e vullnetarëve. Ai shprehi edhe një herë mirënjohjen e tij për të gjithë vullnetarët për sakrificën dhe angazhimin e tyre, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të kontribuojnë në mirëqenien e shoqërisë sonë dhe në interes të grupeve të synuara të cilave u shërbejnë.
Në bashkëbisedimin me anëtarët e Bordit Drejtues, presidenti përshëndeti procesin “Transformimi 28”, duke theksuar se ai paraqet një hap përpara në zhvillimin, funksionimin dhe përshtatjen e Kryqit të Kuq, me synim funksionimin efikas dhe progresiv dhe plotësim adekuat dhe në kohë të nevojave të bashkësisë.
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, falënderoi Kryetarin Pendarovski për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në aktivitetet e organizatës, si dhe për përkushtimin e tij në realizimin e angazhimeve humanitare të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut.