14 Shkurt, 2023

KRYQI I KUQ E NISI DREJT TURQISË DËRGESËN E PARË ME NDIHMA HUMANITARE

Sot, Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut, nisi ndihma humanitare drejt rajoneve të prekura nga tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën e kaluar.

Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të RMV, d-r Sait Saiti, informoi se deri më sot janë mbledhur gjithsej 25.120.773 denarë, ndihma monetare. Sot, jemi këtu së bashku me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në RMV, z. Hasan Mehmet Sekizkok për të dërguar ndihmën humanitare fillestare në mjete materiale, si rezerva të Kryqit të Kuq të RMV. Dërgesa përbëhet nga 800 pako ushqimore, 1.700 pako higjienike dhe 4.000 batanije. Kjo është ndihma humanitare fillestare dhe shpresojmë se në periudhën e ardhshme në bashkëpunim me firmat dhe kompanitë do të sigurohen ndihma shtesë.

Sipas takimeve konsultative me Gjysmëhënën turke është theksuar kryesisht nevoja për mbledhjen  e ndihmave humanitare materiale, sidomos të batanijeve, çadrave, thasëve për fjetjeje dhe llambave me gaz. Sa i përket pjesës tjetër të ndihmës humanitare materiale, bëjmë thirrje edhe një herë, që të dhurohen sende ushqimore (pako ushqimore dhe higjienike), por që të gjitha të jenë të reja, në përputhje me standardet minimale të ndihmës humanitare.

Kryqi i Kuq  vazhdon të mbetet aktiv edhe më tej, duke realizuar aktivitete humanitare për të ndihmuar popullsinë e prekur.

< kthehu mbrapa