Përfaqësues të 46 shoqatave nacionale në konferencë në Zagreb
Nga 13 deri 16 mars, në Zagreb u mbajt Konferenca Vjetore kushtuar rivendosjes së lidhjeve familjare dhe një punëtori për mbrojtjen e të dhënave, organizuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të kuq dhe Kryqit të kuq të Kroacisë.
Në këtë Konferencë theksi u vu në zhvillimin e Strategjisë së Lëvizjes së Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe në kontekst të ripërtëritjes së lidhjeve familjare, lidhjen e familjeve të ndara në situata të krizës, por edhe për kërkimin e personave të zhdukur nga Lufta e Dytë Botërore, temë kjo e cila akoma është aktuale në Shërbimet për kërkesa të Shoqatave nacionale.
*Më shumë se 65 milionë njerëz në botë kanë qenë të detyruar për të braktisur shtëpitë e tyre për shkak të konflikteve të armatosura ose katastrofave natyrore, dhe me këtë rast shumë shpesh familjet e tyre janë ndarë dhe janë shpërndarë nëpër kontinente dhe vende të ndryshme. Rrjeti i rivendosjes së lidhjeve familjare është shembull se çfarë mund të bëjmë së bashku si Lëvizje Ndërkombëtare e Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe në fushën e parandalimit të ndarjes së familjeve dhe rivendosjes dhe mbajtjes së lidhjeve familjare. Fuqia e këtij rrjeti është mundësia për familjet që kërkojnë një anëtar të humbur për të siguruar informacione dhe kanale të komunikimit.* – tha në hapjen e Konferencës, Florence Anselmo, zëvendësdrejtor i Agjencisë Qendrore të Shërbimit për kërkesa dhe mbrojtje të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të kuq.
Anselmo gjithashtu theksoi se teknologjia digjitale është një aleat në zgjidhjen e problemeve të familjeve të ndara, por ajo për shumëkënd nuk është në dispozicion, dhe në raste të tilla me rëndësi kyç janë kanalet e informimit dhe vendosjes së lidhjeve të ndërprera familjare të Shoqatave nacionale të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe.
Kryetar i Kryqit të kuq të Kroacisë, Dr. Josip Jeliq përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë që pikërisht Zagrebi është nikoqir i kësaj Konference, tema e të cilës ka një rëndësi globale.
Në Konferencën në të cilën morën pjesë afërsisht 150 përfaqësues të 46 Shoqatave nacionale të botës, ndër të cilat edhe Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë, përveç temave të përmendura, u fol edhe për implikimet në rregulloren e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave mbi Lëvizjen e Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe. Rregullorja e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave hyn në fuqi në maj të vitit 2018, dhe kjo Konferencë u mundësoi të pranishmëve për të pasur rastin që të identifikojnë sfidat potenciale dhe të harmonizojnë procedurat për dispozitat e reja.