Pjesëmarrja në Trajnimin Ndërkombëtar të Ekipit Rajonal të Reagimit në Katastrofa (RDRT)
Në periudhën 02. – 10.12.2019, përfaqësues të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Turqi, morën pjesë në Trajnimin Ndërkombëtar të Ekipit Rajonal të Reagimit në Katastrofa (RDRT), organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë. Në këtë trajnim morën pjesë 24 përfaqësues të Shoqatave Nacionale në vijim: Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryqi i Kuq i Armenisë, Kryqi i Kuq i Bjellorusisë, Kryqi i Kuq i Bullgarisë, Kryqi i Kuq i Gjeorgjisë, Kryqi i Kuq i Hungarisë, Gjysmëhëna e Kuqe e Kirgistanit, Kryqi i Kuq i Malit të Zi, Kryqi i Kuq i Rusisë, Gjysmëhëna e Kuqe e Taxhikistanit, Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, Gjysmëhëna e Kuqe e Uzbekistanit dhe Gjysmëhëna e Kuqe e Kazakistanit.
Qëllimi kryesor i trajnimit ishte përgatitja e një kuadri rajonal profesional si pjesë e Ekipit Rajonal të Reagimit në Katastrofa (RDRT) për të mbështetur Shoqatat Nacionale në operacionet e reagimit në katastrofa përmes përdorimit të veglave dhe burimeve të nevojshme të vlerësimit, planifikimit dhe mbështetjes. Ky trajnim bazohet në programet e mëparshme mësimore të Metodologjisë KAP/RDRT.
Sesionet dhe aktivitetet e trajnimit u realizuan në mënyrë interaktive përmes shkëmbimit të përvojave, punës në grupe dhe ushtrimeve simuluese në terren dhe zyrë. Temat/sesionet që u zhvilluan në këtë trajnim janë: Veglat dhe proceset e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në rast katastrofash, Koordinimi i brendshëm dhe i jashtëm, Vlerësimi i nevojave, Fushat teknike (uji dhe sanitacioni, logjistika, shëndetësia etj.), Përgatitja e Planit të Veprimit të Ndihmës Ndërkombëtare Humanitare, më saktësisht DREF ose Thirrja Urgjente në rast katastrofash, si dhe përgatitja dhe realizimi i ushtrimit simulues në zyrë dhe terren për kontrollin e njohurive.
Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit, pjesëmarrësit e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut morën certifikata për përfundimin me sukses të trajnimit. Të gjithë pjesëmarrësit pas përfundimit të trajnimit janë futur në bazën e të dhënave ndërkombëtare të ekspertëve të cilët në rast katastrofash do të përfaqësojnë Lëvizjen e KK/GJK dhe Shoqatat Nacionale në operacionet ndërkombëtare.