30 Janar, 2019

Punëtoria finale “Marrja e aksionit për përfshirjen sociale të personave të moshuar”

Në kuadër të Projektit Rajonal “Marrja e aksionit për përfshirjen sociale të personave të moshuar”, nga 25 deri më 27 janar të vitit 2019, në Strugë u mbajt punëtoria finale organizuar nga Kryqi i kuq i RM-së dhe Shoqata “Humanost”, partnerë në projektin në Maqedoni. Qëllimi i mbajtjes së punëtorisë finale ishte rrumbullakimi i implementimit trevjeçar të aktiviteteve të projektit të koordinuara nga Kryqi i kuq i Serbisë, e që janë realizuar në pesë vende të Ballkanit Perëndimor: Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ky projekt është financuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Agjencia Austriake e Zhvillimit dhe Kryqi i kuq i Austrisë.

Në hapjen e punëtorisë finale, të pranishmëve iu drejtuan sekretari i përgjithshëm i Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë. Dr. Sait Saiti, dhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës “Humanost”, Sashko Jovanov. Ata theksuan rëndësinë e implementimit trevjeçar të këtij projekti i cili në mënyrë pozitive u reflektua në vendin tonë lidhur me sigurimin e kontributit për përfshirjen sociale të personave të moshuar.

Në këtë punëtori, koordinuesja e projektit, Lupka Petkovska, bashkëpunëtore profesionale e Kryqit të kuq të RM-së, prezantoi rezultatet e arritura të implementimit të projektit në Maqedoni. Koordinuesja rajonale e Kryqit të kuq të Serbisë, Natasha Todoroviq, ndau rezultatet e arritura nga implementimi i projektit në pesë vendet.

Gjatë punëtorisë finale për tema të ndryshme kushtuar pleqërisë dhe plakjes, folën Prof. Dr. Sunçica Dimitrijoska e Institutit të Punës Sociale dhe Politikës Sociale mbi temën e pranimit të pleqërisë; Natasha Maneska nga Qyteti i Shkupit foli për politikat e qytetit të Shkupit lidhur me ofrimin e shërbimeve për grupet e cenueshme qëllimore, duke vënë theksin në personat e moshuar; Zoran Bllazhevski i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale prezantoi propozim-ndryshimet e Ligjit të Mbrojtjes Sociale në Republikën e Maqedonisë; për trendët demografikë të popullsisë, foli Irena Spirkovska nga UNFPA; dhe mbi temën: “Shëndeti i të moshuarve në RM” foli Prof. Dr. Elena Kosevska e Institutit të Shëndetit Publik. Në këtë punëtori, Sashko Jovanov i Shoqatës “Humanost” prezantoi Analizën e Strategjisë Nacionale për Të Moshuarit për vitet 2010-2020, e cila u zbatua vitin e kaluar dhe ku morën pjesë anëtarët e rrjetit.

Përfaqësues të 12 shoqatave të qytetarëve prezantuan rezultatet e realizimit të aktiviteteve të vogla të projektit për përfshirjen sociale të personave të moshuar në komunitete. Lidhur me iniciativat e vogla që u zbatuan në pesë vendet do të publikohet një broshurë e cila do të shtypet në të gjitha gjuhët e vendeve pjesëmarrëse të projektit.

Në fund të punëtorisë finale u dhanë propozime për një zhvillim të qëndrueshëm të rrjetit “InkluzivaM” që do të vazhdojë të funksionojë pas përfundimit të Projektit Rajonal.

< kthehu mbrapa