Punëtoria për studentët “Hyrja në Të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare”
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të Klubit të Diseminuesve të Së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare (DNH), organizoi një punëtori me titullin “Hyrja në Të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare”, që u mbajt në Hotelin “Solferino”, Strugë, nga 15-17 nëntor të vitit 2019.
Qëllimi i punëtorisë ishte njohja me parimet dhe standardet humanitare, me rregullat e luftës, aplikimin dhe implementimin e tyre praktik, pasojat e mosrespektimit ose shkeljes së rregullave të DNH-së, si dhe rolin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) në diseminimin e rregullave të DNH-së.
Përmes kësaj punëtorie, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me krijimin dhe burimin e rregullave dhe në cilat situata ato aplikohen, si dhe të bëjnë dallimin në mes konflikteve të armatosura të brendshme dhe ndërkombëtare dhe të dallojnë pjesëmarrësit e konflikteve të armatosura. U përpunuan rregullat specifike që sigurojnë mbrojtjen e të plagosurve dhe të sëmurëve, personat, civilët dhe personelin mjekësor të mbajtur, si dhe rregullat që kufizojnë mjetet dhe metodat e luftës. Gjithashtu, pjesëmarrësit morën njohuri mbi ndërhyrjet dhe mbrojtjen humanitare, si dhe konstelacionin e marrëdhënieve ndërkombëtare në të cilat ato ekzistojnë.
Punëtoria u zhvillua përmes 5 ligjëratave ndërvepruese dhe dy ushtrimeve praktike ku pjesëmarrësit u njohën me aplikimin konkret të rregullave të DNH-së.
Punëtoria është projektuar kryesisht për studentët e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve (universitare dhe pasuniversitare) të Fakulteteve Juridike të USHT-së, SHTUL-it, “Goce Dellçev”-it – Shtip, Fakulteteve të Sigurisë dhe Akademisë Ushtarake të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por nuk janë përjashtuar dhe praktikuesit, aktivistët dhe profesionistët tjerë humanitarë të cilët në kuadër të angazhimit të tyre profesional përballen me aplikimin e rregullave të DNH-së.