Shënimi i Ditës Botërore të Ndihmës së Parë – 9 shtator i vitit 2017
9 shtatori (e shtunë) është Dita Botërore e Ndihmës së parë. Dita Botërore e Ndihmës së Parë është një mundësi për të promovuar dhe përfaqësuar angazhimin për posedimin e njohurive dhe shkathtësive për dhënien e ndihmës së parë për publikun e gjerë.
Sivjet tema kryesore është “Fatkeqësitë në shtëpi” që u referohet lëndimeve parandaluese dhe të padëshiruara që mund të ndodhin në shtëpi.
Fatkeqësitë në shtëpi i afektojnë të gjithë, pa dallim moshën, gjininë, të ardhurat, vendin e banimit të tyre. Shtëpitë shpesh perceptohen si vende të sigurta, por për fat të keq ato janë vendet ku paraqiten 80% e fatkeqësive. Në Evropë, mbi 300 milionë njerëz vuajnë nga fatkeqësitë në shtëpi çdo vit, prej të cilave 7000 janë fatale.
Rrëzimet janë fatkeqësitë më të shpeshta që ndodhin në shtëpi dhe shkaktojnë lëndime serioze pa marrë parasysh moshën, edhe pse rreziku është më i madh për personat e moshuar.
Trajnimet për ndihmën e parë kanë për qëllim edukimin e njerëzve për rreziqet dhe arsyet e fatkeqësive në shtëpi, ngritjen e ndërgjegjes së tyre për të ndërmarrë masa dhe aktivitete për parandalimin e rreziqeve dhe respektimin e rregullave të, dhe në ç’mënyrë dhe çfarë duhet të ndërmarrin dhe të veprojnë në rast të ndodhjes së një lëndimi.
Shkathtësitë për të treguar ndihmën e parë duhet të jenë në dispozicion për të gjithë, si një akt humanitar që autorizon njerëzit për të shpëtuar jetë dhe për të ndihmuar në rimëkëmbjen nga sëmundjet apo lëndimet që ndodhin papritmas. Për këto arsye, Kryqi i kuq i R. së Maqedonisë angazhohet që së paku një anëtar i çdo familjeje të jetë i edukuar dhe i aftësuar për të dhënë ndihmë të parë, prandaj Ju inkurajojmë të vizitoni një nga trajnimet tona të ndihmës së parë.