10 Tetor, 2021

Shënimi i Javës për luftë kundër sëmundjeve të sheqerit

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut në mënyrë tradicionale e shënon Javën për luftë kundër sëmundjeve të sheqerit (diabet) prej 10 – 16 tetor të vitit 2021 nën moton “Mënyra e shëndoshë e jetës dhe diabeti”.

Diabeti nuk është vetëm një rritje e sheqerit në gjak, është një sëmundje kronike, dobësuese dhe e kushtueshme që prek të gjithë familjen. Ndodh si rezultat i një jetese jo të shëndetshme e cila nënkupton ushqim të dobët duke konsumuar ushqim të shpejtë dhe pije të gazuara, pakësim të aktivitetit fizik dhe stres të tepërt. Numri i pacientëve po rritet dhe prandaj është e nevojshme të bëhen ekzaminime parandaluese dhe të ndërgjegjësohet popullata për faktorët e rrezikut për diabetin që lidhen me dietën, pasivitetin fizik, shtimin në peshë dhe stresin. 5 rregullat e arta për trajtimin e kësaj sëmundjeje janë: dieta e ekuilibruar, aktiviteti fizik, vetëkontrolli i niveleve të sheqerit në gjak, edukimi dhe përdorimi i barnave sipas udhëzimeve.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore e Shëndetësisë në 2018, 9% e popullsisë së rritur mbi 18 vjeç kishin diabet në të gjithë botën ose rreth 425 milion njerëz. Diabeti është shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes në 1.5 milion njerëz, dhe deri në vitin 2030 vlerësohet të jetë shkaku i shtatë kryesor i vdekjeve në botë.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar rreth 120.000 persona me diabet të tipit 1 dhe tipit 2, prej të cilëve 40.000 janë me terapi me insulinë.

Në atë drejtim, për të dhënë kontributin tonë në përpjekjet e vazhdueshme për parandalimin e diabetit, Organizatat komunale të Kryqit të Kuq dhe Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit do të ndërmarrin aktivitete për ngritjen e vetëdijes për rreziqet e diabetit përmes realizimit të punëtorive edukative që do të organizohen sipas masave për preventivë nga KOVID-19 dhe përmes edukimeve online dhe ndarjes së postimeve nëpër rrjetet sociale.

 

< kthehu mbrapa