1 Mars, 2023

Shënimi i Javës së luftës kundër kancerit

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me kalendarin e aktiviteteve tradicionale  gjatë periudhës nga data 01 deri më 08 mars të vitit 2023, do të shënojë Javën e luftës kundër kancerit, nën moton “Dituria shpëton jetë”.

Më shumë se 12 milionë njerëz në të gjithë botën diagnostifikohen me ndonjë forme të kancerit çdo vit, ndërsa 7,6 milionë vdesin si pasojë e kësaj sëmundjeje. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, rreth 6.000 raste të reja të pacientëve me kancer zbulohen çdo vit. Këto shifra janë vërtet të frikshme dhe alarmuese. Ekspertët nga Bashkimi Ndërkombëtar i Kancerit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë theksojnë se afërsisht 40% e kancereve mund të parandalohen potencialisht dhe rreziku i zhvillimit të sëmundjeve të kancerit mund të reduktohet ndjeshëm duke aplikuar masa të thjeshta parandaluese dhe duke ndryshuar stilin e jetesës.

Organizatat Komunale të Kryqit të Kuq dhe Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit në kuadër të shënimit të Javës së luftës kundër kancerit, do të organizojnë punëtori edukative për grupe të ndryshme të synuara dhe do të shpërndajnë postime në rrjetet sociale me qëllim që  bashkërisht të kontribuojmë në ngritjen e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e parandalimit dhe diagnostikimit me kohë të sëmundjeve malinje. Këto punëtori edukative do të përfshinë popullsinë e re, nxënësit e shkollave të mesme, si dhe  popullsinë më të vjetër, sipas gjinisë dhe rrezikut që u kanose nga një lloj i caktuar i sëmundjeve malinje.

< kthehu mbrapa