Epidemia e korona-virusit të ri (nCoV) 2020
Hyrje
Më 31 dhjetor të vitit 2019, OBSH mori informacion për raste të izoluara të pneumonisë nga një shkaktar i panjohur i detektuar në qytetin Vuhan të provincës Hubei në Kinë. Këto raste të izoluara të pneumonisë më vonë u detektuan si infeksione të një korona-virusi të ri (nCOV). Deri më 22 janar, u konfirmuan më shumë se 400 raste të personave të infektuar nga korona-virusi, ndër të cilët kishte edhe punonjës shëndetësorë në Kinë, Kore të Jugut, Tajlandë dhe SHBA.
Çfarë është korona-virusi?
Para kësaj epidemie, njiheshin 6 lloje të korona-virusit që shkaktonin infeksion tek njerëzit, por ka shumë më tepër lloje të korona-viruseve që shkaktojnë infeksione tek kafshët. Ekziston probabiliteti se korona-virusi i ri ka origjinën nga kafshët, para se të bartet tek njerëzit. Burimi origjinal i kësaj marrëdhënie të kryqëzuar të bartjes së infeksionit akoma nuk është përcaktuar saktësisht.
Si bartet?
Është konfirmuar transmisioni i korona-virusit të ri përmes njerëzve, që do të thotë se kafshët si nikoqirë tanimë nuk janë të nevojshme për të bartur sëmundjen, virusi mund të bartet edhe nga njeriu në njeri.
Mënyra e saktë e transmisionit akoma nuk është e njohur. Epidemitë e mëparshme të korona-virusit, përfshirë Sindromën Akute Respiratore Serioze (SARS) dhe Sindromën Respiratore të Lindjes së Mesme (SRLM), dy epidemitë më të rrezikshme deri tani, kryesisht përhapen përmes kontaktit dhe pikave.
Zakonisht, korona-virusi bartet përmes:
- Kontaktit me pika që krijohen kur i sëmuri kollitet ose teshtin, në atë mënyrë që pikat e pështymës ose të lëngjeve të tjera trupore që përmbajnë në vete virusin barten tek njerëzit ose sendet tjera;
- Kontaktit të afërt personal, si për shembull, prekjes, përshëndetjes me dorë dhe kontaktit seksual;
- Prekjes së sendeve ose sipërfaqes në të cilën është bartur virusi, si për shembull, doreza e derës, sendet personale dhe pastaj prekja e gojës, syve ose hundës, pa i larë paraprakisht duart me sapun.
Disa korona-viruse, si për shembull SARS –KoV, mund të gjenden në fekalet dhe urinën e personave të infektuar nga virusi, dhe mund të barten gjatë prekjes së këtyre lëngjeve.
Simptomat
Shumica e njerëzve në një periudhë të jetës janë infektuar nga korona-virusi, që ka zgjatur shkurt dhe gjatë kësaj nuk kanë zhvilluar ndonjë simptomatologji të rëndë, si për shembull, ethe, kollitje, mungesë frymëmarrjeje etj. Korona-virusi human mund të shkaktojë ngandonjëherë gjithashtu sëmundje të traktit të poshtëm respirator, si për shembull, bronkit ose pneumoni. Kjo dukuri më shumë është e zakonshme tek personat me sëmundje të zemrës-mushkërive, personat me imunitet të dobët, foshnjat dhe të moshuarit. Përveç pneumonisë dhe infeksioneve të rënda akute të frymëmarrjes, gjendjet e rënda të këtij virusi gjithashtu mund të çojnë në ndërprerjen e punës së veshkave ose në vdekje.
Koha e inkubacionit akoma nuk është e njohur saktësisht, por është vlerësuar se lëviz nga 0 deri në 14 ditë, me simptoma që zgjasin nga 1 deri në 15 ditë.
Si parandalohet
Masat e parandalimit të korona-virusit të ri janë të ngjashme me masat e parandalimit të viruseve të tjera që barten përmes kontaktit ose pikave.
Masat e parandalimit janë si më poshtë:
- Larja e duarve me sapun rregullisht
- Mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes
- Gatimi i plotë (tërësor) i mishit dhe vezëve
- Shmangia e kontaktit me persona që shfaqin shenja të gripit
- Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshë të egra, bagëti dhe shpezë
Për personat që kujdesen për anëtarët e familjes në kushte shtëpiake që kanë një infektim të lehtë respirator, përdorimi i maskave kirurgjike që nga fillimi i sëmundjes e deri në shërimin e tij, larja e duarve në mënyrë të rregullt dhe të duhur, zvogëlon mundësinë që edhe ata vetë të mos infektohen.