Takimi me Shërbimet e kërkimit të shoqatave nacionale të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe në temën *Luftëtarët e huaj dhe familjet e tyre*
Për më shumë se një vit, Shërbimi i kërkimit i Kryqit të kuq të RM-së ka punuar me raste të lidhura me grupin e ri të synuar të përdoruesve të shërbimeve të këtij shërbimi, i cili është i njohur në rrjetin për rivendosjen e lidhjeve familjare si *Luftëtarët e huaj dhe familjet e tyre*. Përkatësisht, bëhet fjalë për persona, shtetas të Maqedonisë, të cilët gjatë luftës në Siri u bashkuan si luftëtarë në formacionet paraushtarake në Siri dhe kontaktonin me familjet e tyre. Meqë ky është një aktivitet jashtëzakonisht serioz dhe i ri, Zyra e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq me seli në Paris, më 28 shkurt dhe 01 mars, organizoi një takim ku ishin ftuar shoqatat nacionale evropiane që deri më tani kanë punuar në raste të tilla si: Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë, Serbisë, Belgjikës, Britanisë së Madhe, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Kosovës, Holandës, Portugalisë, Spanjës, Suedisë dhe Turqisë.
Takimi synonte shkëmbimin e përvojave në lidhje me sfidat e vendosjes së dialogut me autoritetet për t’i informuar ata për aktivitetet që ne ndërmarrim si shoqata nacionale në këtë fushë dhe mënyrën e vendosjes së kontakteve me familjet e personave që janë në kampe dhe burgje në Siri.
Informacionet që u ndanë nga përfaqësuesit e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq në Damask, Siri, flasin për nevojën e madhe për të përfshirë rrjetin për vendosjen e lidhjeve familjare në aktivitete që do të nënkuptonin rivendosjen e lidhjeve familjare të personave që gjenden ende në Siri me familjet e tyre në vendet e tyre të origjinës. Statistikat flasin për 5670 vizita të KNKK-së në burgjet dhe kampet në Siri, nga ku rrjedh fakti se shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë (më shumë se 3000 fëmijë të moshës nën 18 vjet, sidomos fëmijë të moshës nën 10 vjet).
Në prezantimin e tij, përfaqësuesi i Kryqit të kuq të RM-së ndau përvojat në këtë fushë me të pranishmit në takim, duke theksuar se Kryqi i Kuq i RM-së, në përputhje me udhëzimet e marra nga KNKK-ja, tashmë ka kontaktuar me autoritetet, duke i informuar ata për aspektin humanitar të këtyre rasteve dhe deri tani ka realizuar pa probleme aktivitetet e vendosjes së lidhjeve familjare.
Aktivitetet që lidhen me grupin e synuar *Luftëtarët e huaj dhe familjet e tyre* pritet të vazhdojnë në të ardhmen duke pasur parasysh situatën në Siri. Shërbimi i kërkimit i Kryqit të kuq të RM-së mbetet të përfshihet në realizimin e misionit të tij human në këtë fushë.