12 Maj, 2017

Tryeza e rrumbullakët në temën: “Mundësitë dhe sfidat e punësimit të personave të rrezikuar në aspektin social”

Më 11 maj të vitit 2017, në lokalet e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë u mbajt tryeza e rrumbullakët në temën: “Mundësitë dhe sfidat e punësimit të personave të rrezikuar në aspektin social” në kuadër të Projektit “Ndërmerr aksion për të përmirësuar konkurrencën në tregun e punës”, i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili u organizua në partneritet me Odën e Zejtarëve të Qytetit të Shkupit.

            Qëllimet e Projektit janë në pajtueshmëri me qëllimet e Strategjisë nacionale të punësimit dhe Strategjisë për reduktimin e varfërisë dhe përjashtimit social në Republikën e Maqedonisë dhe është konfirmim i zhvillimit të programeve sociale për mbështetjen e grupeve të rrezikuara qëllimore në drejtim të përmirësimit të konkurrencës së tyre në tregun e punës.

            Në këtë ngjarje morën pjesë sekretari i përgjithshëm i Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, z. Sait Saiti, ministri i Punës dhe Politikës Sociale z. Ibrahim Ibrahimi, kryetari i Odës së Zejtarëve të Qytetit të Shkupit, z. Nikolla Petrov dhe shumë pjesëmarrës të tjerë në këtë projekt dhe përfaqësues të mediumeve.

            Ngjarja u hap nga sekretari i përgjithshëm i Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, z. Sait Saiti, i cili theksoi se përmes këtij projekti Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë së bashku me partnerët, për 40 persona në rrezik social dhe afatgjatë të papunë do të mundësojë përgatitjen për t’u përfshirë në jetën sociale dhe ekonomike duke krijuar të ardhura për veten e tyre dhe për familjet e tyre, me çka do të kontribuohet në reduktimin e rrezikshmërisë dhe përjashtimit social. Gjithashtu ai shprehu shpresën se tryeza e sotme e rrumbullakët do të prodhojë propozime dhe konkluzione specifike që do të kontribuojnë në avancimin e kushteve dhe mundësive për punësimin e këtyre kategorive me çka do të zbutet papunësia e personave në rrezik social.

            Deklaratë dha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, z. Ibrahim Ibrahimi, i cili theksoi se duke reduktuar papunësinë dhe duke përfshirë në tregun e punës grupet e rrezikuara në aspektin social të cilët janë evidentuar edhe si persona afatgjatë të papunë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në mënyrë aktive dhe në vazhdimësi përgatit, propozon dhe bën implementimin e masave, aktiviteteve, ligjeve dhe strategjive që kanë të bëjnë me rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe përmirësimin e tyre, mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së të punësuarve, zgjidhjen e problemit të papunësisë dhe ofrimin e sigurisë sociale për personat në rrezik social.

            Gjithashtu, në këtë ngjarje të pranishmëve ju drejtua edhe kryetari i Odës së Zejtarëve të Qytetit të Shkupit, z. Nikolla Petrov, i cili theksoi se përmes realizimit të këtyre aktiviteteve të projektit, Oda do të rrisë pjesëmarrjen e personave afatgjatë të papunë në tregun e punës, duke i përfshirë ata në ofertën e fuqisë punëtore në sektorin e zanatçinjve.

 

< kthehu mbrapa