U shënua 8 Maji, Dita Botërore e Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe
Dita Botërore e Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe, 8 Maji, është ditëlindja e themeluesit tonë Anri Dynan, dhe kjo ditë është një festë vjetore e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe. Çdo vit, Shoqatat nacionale të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe organizojnë aktivitete për promovimin e rolit të veçantë të Lëvizjes në vendet e tyre.
Kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë, ngjarjen qendrore për shënimin e kësaj date të rëndësishme e realizoi në hapësirën e Restorantit “Raguza 360”. Në sallën e mbushur plot, mysafirë të shumtë, donatorë, mbështetës dhe bashkëpunëtorë, vullnetarë dhe punonjës ndoqën fjalimin e Kryetarit të Kryqit të kuq të RM-së, Romel Velev, të Ejup Rustemit, Drejtor i Postave të Maqedonisë, si dhe të Jasmina Bucevskës, Drejtore e Drejtorisë së Pavarur të Marketingut në SHA Banka Komerciale Shkup. Kënaqësi e veçantë ishte prania e organizatave komunale të Kryqit të kuq dhe e shfrytëzuesve të qendrave ditore në të cilat po zbatohet një projekt për mbështetjen dhe socializimin e personave me nevoja të veçanta, mbështetur nga Banka Komerciale.
Pjesa e dytë e ngjarjes u pasurua me performancën e vullnetarëve të Klubit të të Rinjve të Kryqit të kuq të qytetit të Shkupit, studios së baletit “Eureka” me shfaqjen e një koreo-drame me moton # Dashuria, kushtuar Kryqit të kuq, sipas skenarit dhe regjisë së Snezhana Koneska Rusit. Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, pjesë e paraqitjes skenike ishin edhe shfrytëzuesit e Qendrës ditore për paralizë cerebrale.
Këtë vit shënojmë gjithashtu 100-vjetorin e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe. Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të kuq dhe e Gjysmëhënës së kuqe është një rrjet global dhe i pavarur prej rreth 11.6 milionë vullnetarësh aktivë dhe 450.000 punonjësish dhe ne punojmë në komunitete në më shumë se 190 vende të botës. Vullnetarët dhe punonjësit tanë janë nga e gjithë bota dhe sigurojnë ndihmë të ndryshme për rreth 160 milionë njerëz.