25 Tetor, 2017

Vizita e delegacionit të Kryqit të kuq të Bullgarisë në Kryqin e kuq të Republikës së Maqedonisë

Në periudhën nga 23 deri 25 tetor të vitit 2017, në vizitë të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë ishte një delegacion i Kryqit të kuq të Bullgarisë, i përbërë nga: akademik Dr. Hristo Gligorov, kryetar i Kryqit të kuq të Bullgarisë, Prof. Dr. Krasimir Gigo, drejtor i përgjithshëm i Kryqit të kuq të Bullgarisë, Presllava Lilova, udhëheqëse e Repartit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Kryqit të kuq të Bullgarisë dhe z. Kallço Hivov, bashkëpunëtor i jashtëm.

Delegacioni realizoi një vizitë në Zyrën qendrore të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, ku pati një takim me sekretarin e përgjithshëm të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, z. Sait Saiti dhe me kryetarin e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, Prof. Dr. Romel Velev.

Në këtë takim u këmbyen përvojat dhe praktikat e deritashme në punën e dy shoqatave nacionale dhe u diskutua për propozim-programin e bashkëpunimit ndërmjet Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë dhe Kryqit të kuq të Bullgarisë për vitin 2018 në fushën e dhurimit të gjakut, ndihmës së parë, katastrofave, veprimtarisë botuese dhe informimit, të rinjtë dhe vullnetarët, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përgatitjes për projektet e përbashkëta evropiane në veprimtaritë e ndryshme programore dhe veprimtarinë sociale humanitare.

Delegacioni vazhdoi vizitën e tij në Kryqin e kuq të qytetit të Shkupit, ku u vizitua Qendra ditore e dhurimit të gjakut “Dare Xhambaz”, Qendra ditore për personat e moshuar, pika për të pastrehët dhe qendra logjistike e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë.

 

< kthehu mbrapa