19 Shtator, 2017

Ligjëratë për diseminimin e Lëvizjes, Të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare dhe aktiviteteve të Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, në kazermën “Jane Sandanski” – Shtip

Më 18 shtator të vitit 2017 në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip, një përfaqësues i Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë mbajti një ligjëratë me prezantime për diseminimin e Lëvizjes, Të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare dhe aktivitetet e Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, dhe gatishmërinë dhe veprimin në katastrofa. Grupi qëllimor i dëgjuesve ishin persona me uniformë me grada, të cilët me interesim i ndoqën ligjëratat dhe shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin.

Në pjesën e diseminimit, pjesëmarrësit u  njohën me rolin dhe mandatin e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe, KNKK-së, FNKKGJK-së dhe Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, emblemën e Kryqit të kuq dhe Të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare me theks në Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë dhe me veprimtarinë e Kryqit të kuq të RM-së.

Për aktivitetet në planin e gatishmërisë dhe veprimit në katastrofa, theks i veçantë i është dhënë vendosjes dhe funksionimit të këtij sistemi në Kryqin e kuq të RM-së në korniza vendore dhe ndërkombëtare, bashkëpunimit me institucionet kompetente në RM, veçanërisht me Ministrinë e Mbrojtjes, MPB-në, QMK-në, DSHM-në, Vetëqeverisjen lokale dhe përfshirjes së KKRM-së në trupat koordinues të krijuara gjatë katastrofave dhe fatkeqësive natyrore, dhe aktivitetit të ekipeve të KKRM-së. Për rastet e fundit me përmbytjet të cilat vitin e kaluar goditën disa pjesë të Republikës së Maqedonisë, krizën e migruesve dhe refugjatëve, është potencuar bashkëpunimi i përbashkët me institucionet kompetente dhe aktivitetet që KKRM-ja i merr në kuadër të rolit të saj – distribucionin e ndihmës humanitare, dhënien e ndihmës së parë, mbështetjen logjistike, vlerësimin në terren, rivendosjen e lidhjeve familjare dhe aktivitetet edukative.

Nga ana e të pranishmëve janë parashtruar pyetje lidhur me Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë që janë nënshkruar nga Republika e Maqedonisë në vitin 1993, si dhe pyetje për detyrat dhe rolin e Kryqit të kuq të RM-së gjatë krizës së migruesve.

Për nevojat e fondit të bibliotekës në kazerma janë dhënë dokumentet promovuese dhe edukative të lidhura me aktivitetet e prezantuara.

Ligjërata është rezultat i një termini të caktuar paraprakisht me Shtatmadhorinë e ARM-së, dhe është në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur midis Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së RM-së.

< kthehu mbrapa