“Të gjithë jemi fëmijët e tyre”
Nën moton: “Të gjithë jemi fëmijët e tyre”, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut nga data 14 deri më 20 nëntor të vitit 2022, do të shënojë “Javën e kujdesit për të moshuarit”. Shënimi i javës ka për qëllim të rrisë vetëdijesimin publik, nevojën për rritjen e integrimit të të moshuarve në të gjitha sferat e jetës shoqërore, si dhe kujdesin e nevojshëm dhe ndihmën për të moshuarit.
Mbështetje për të shënuar këtë javë ofrohet nga UNFPA, organizatë me të cilën Kryqi i Kuq i RMV bashkëpunon mbi çështjet aktuale, që kanë të bëjnë me popullsinë e moshuar, si dhe parandalimin shëndetësor të grupeve të rrezikuara të popullsisë së synuar. Ofrohet mbështetje për funksionimin e 10 ekipeve të lëvizshme për shërbim falas, për furnizim dhe dërgim të ushqimit, higjienës, barnave etj., për personat e moshuar dhe të vetmuar. Gjatë javës do të organizohen 30 punëtori informuese me persona të moshës së tretë, për t’i njoftuar me të drejtat e tyre për mbrojtje sociale dhe shëndetësore, në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e tyre të jetesës dhe plakjen e shëndetshme.
Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit dhe Organizatat Komunale të Kryqit të Kuq, në mjediset e tyre, do të organizojnë punëtori edukative për tema që janë me interes për qytetarët e moshuar, punëtori tematike për të nxitur përfshirjen sociale të të moshuarve, si dhe aktivitete të tjera, për plakje aktive dhe të shëndetshme.